Të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, zhvilluan bisedime me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, me qëllim dhënien fund të luftës në Ukrainë.

Shtëpia e Bardhë tha se dy negociatorët e presidentit Trump diskutuan plane thelbësore për hapat e ardhshëm me kreun e Kremlinit. Ata shpresojnë për bisedime po aq produktive në Kiev, në vizitën e tyre që pritet të zhvillohet sot në kryeqytetin ukrainas. Ndërsa Witkoff dhe Kushner po negocionin në Kremlin, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ishte gati për “një bisedë thelbësore”.

Sipas mediave shtetërore ruse, bisedimet e së shtunës në Moskë zgjatën tre orë dhe u zhvilluan pas dyerve të mbyllura në rezidencën zyrtare të Putinit në zemër të kryeqytetit rus.

Këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov, i cilësoi ato si “konstruktive, jashtëzakonisht të sinqerta”.

“Bisedimet nuk u kufizuan vetëm në një shkëmbim pikëpamjesh mbi zgjidhjen e krizës ukrainase; çështjet ekonomike dhe projektet e mundshme të mëdha dhe të dobishme reciprokisht ruso-amerikane u diskutuan me hollësi të konsiderueshme.”

Ushakov tha gjithashtu se “u vu në dukje përparimi i prekshëm i ushtrisë ruse në zonën e luftimeve” dhe se u pranua se bisedimet duhej të adresonin “shkaqet rrënjësore të konfliktit”.

Bisedimet vijnë pasi Rusia dhe Ukraina kanë intensifikuar sulmet ajrore në muajt e fundit.

Klan News

/tvklan.al