EKSKLUZIVE E REUTERS – PËRSHTATUR NË SHQIP
Ukraina do të intensifikojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, në përgjigje të asaj që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilëson si një “doktrinë të re” të Moskës për sulmet ajrore. Sipas Zelensky-t, Rusia po zgjeron objektivat e saj përpara dimrit, me synimin për të ushtruar presion mbi banorët dhe për t’i detyruar ata të largohen nga Kievi dhe qytete të tjera.
Zelensky i bëri deklaratat në një intervistë ekskluzive për Reuters, duke thënë se shërbimet ukrainase të inteligjencës kanë siguruar dokumente që, sipas tij, tregojnë për ndryshimin e strategjisë ruse.
Sipas presidentit ukrainas, dokumentet tregojnë se forcat ruse mund të godasin një gamë më të gjerë objektivash, përfshirë infrastrukturën, logjistikën, rrugët, shkollat dhe spitalet.
Zelensky tha se qëllimi i kësaj strategjie është të krijojë pasiguri dhe presion te popullsia, në mënyrë që banorët të largohen nga kryeqyteti dhe qytetet e tjera.
Kremlini nuk i ka komentuar ende deklaratat e Zelensky-t…
Ndërkohë, Ministria e Jashtme ruse ka thënë se Moska do të vazhdojë të godasë objektiva në Ukrainë, duke i cilësuar sulmet si kundërpërgjigje ndaj goditjeve ukrainase në territorin rus. Të dyja palët mohojnë se synojnë qëllimisht civilët.
Kundërofensiva ukrainase në Donbas

Zelensky tha se kundërofensiva ukrainase, e koduar me emrin “Vivaldi”, ka rimarrë rreth 140 kilometra katrorë në rajonin lindor të Donbasit dhe se operacioni vijon.
Rusia ka deklaruar se kërkon kontrollin e plotë të Donbasit si një nga kushtet për një marrëveshje paqeje.
Ndërkohë, administrata e presidentit amerikan Donald Trump po përpiqet të rikthejë negociatat për përfundimin e luftës. Trump i ka kërkuar më herët Ukrainës të shmangë sulmet ndaj objekteve të naftës në Rusi, duke argumentuar se ato po ndikojnë në rritjen e çmimeve globale të naftës dhe karburanteve.
Por Zelensky tha se nuk ka parë shenja se presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm për negociata paqeje apo për një armëpushim që do të ndalonte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike.
Sulmet ndaj Kievit
Gjatë javës së fundit, Kievi është përballur me sulme të vazhdueshme ruse me dronë dhe raketa, që kanë goditur infrastrukturën energjetike dhe të telekomunikacionit, si dhe rrjetet rrugore dhe hekurudhore.
Për herë të parë, Rusia ka goditur edhe ura mbi lumin Dnipro, të cilat lidhin pjesët lindore dhe perëndimore të kryeqytetit.
Zelensky tha se Ukraina do t’u përgjigjet këtyre sulmeve, por nuk do të ndjekë të njëjtën strategji duke goditur në mënyrë të pakontrolluar objektivat civile. Ai shtoi se Ukraina do të përqendrohet te infrastruktura energjetike ruse, veçanërisht te rafineritë e naftës, të cilat sipas tij sigurojnë të ardhura për financimin e luftës.
Zelensky kërkon mbështetje nga Evropa

Pas ftesës së administratës Trump për Putinin që të marrë pjesë në samitin e G20 në Miami në dhjetor dhe pas diskutimeve të SHBA-ve me përfaqësues rusë për marrëveshje të mundshme ekonomike, Zelensky i ka kërkuar Washingtonit të mos normalizojë marrëdhëniet me Moskën përpara se të arrihet paqja.
Zelensky tha se do të ishte i gatshëm të takohej me Putinin në kuadër të samitit të G20 për të diskutuar paqen. Megjithatë, ai paralajmëroi kundër idesë se lufta mund të përfundojë thjesht nëse Rusia merr kontrollin e Donbasit.
Sipas tij, çdo rikthim i marrëdhënieve ekonomike dhe diplomatike mes Rusisë dhe Perëndimit duhet të lidhet me përfundimin e luftës. Ndërkohë, SHBA-të kanë propozuar rikthimin e bisedimeve trepalëshe në javët e ardhshme në Emiratet e Bashkuara Arabe, por ende nuk është përcaktuar një datë dhe vend për takimet teknike.
Ukraina përgatitet për sulmet e dimrit

Zyrtarët ukrainas paralajmërojnë se Rusia ka grumbulluar qindra raketa balistike përpara një vale të re sulmesh gjatë dimrit, veçanërisht ndaj infrastrukturës së energjisë dhe ujit. Ndërkohë, Rusia ka shtuar përdorimin e dronëve Shahed me motorë reaktivë. Sipas Zelenskyt, këta dronë janë më të shpejtë dhe më të vështirë për t’u kapur nga sistemet ekzistuese të mbrojtjes ajrore.
Ukraina është detyruar të përdorë avionët luftarakë F-16 dhe MiG për të rrëzuar rreth 60% të këtyre dronëve, por Zelensky tha se rezervat e municioneve 20 mm për avionët po pakësohen. Kievi po punon për alternativa, përfshirë forcimin e sistemeve të bllokimit elektronik. Gjithashtu, në gjysmën e dytë të tetorit pritet të mbërrijë dërgesa e parë e raketave të vogla dhe me kosto të ulët të mbrojtjes ajrore, të afta për të goditur dronët e rinj Shahed.
Raketa balistike ukrainase
Këtë javë, Ukraina njoftoi përdorimin për herë të parë në luftime të raketës balistike të prodhuar në vend, FP-7, me rreze veprimi rreth 250 kilometra.
Zelensky tha se i ka kërkuar kompanisë prodhuese Fire Point të përshpejtojë përfundimin e modelit më të avancuar FP-9, i cili, sipas kompanisë, mund të ketë rreze të mjaftueshme për të goditur Moskën.
Presidenti ukrainas tha gjithashtu se inkursionet e fundit të dronëve rusë dhe sulmet hibride në Evropë synojnë, sipas tij, të frikësojnë popullsinë evropiane dhe të dobësojnë mbështetjen për Ukrainën. Rusia i ka hedhur poshtë këto akuza si të pabazuara.

Ukraina siguron fonde për mbrojtjen
Pas bisedimeve me zyrtarë evropianë në Bruksel, Ukraina ka siguruar financime për blerjen e dronëve që i nevojiten për të vazhduar luftën edhe në fillim të vitit 2027.
Zyrtarët ukrainas kanë hartuar gjithashtu, së bashku me partnerët evropianë, një plan për të mbuluar një boshllëk prej 27 miliardë dollarësh në buxhetin e mbrojtjes së Ukrainës për këtë vit.
Plani përfshin riorganizimin e burimeve të buxhetit ukrainas, ndihmën dypalëshe dhe përdorimin e kredive nga pjesa e vitit të ardhshëm e një kredie prej 90 miliardë eurosh nga Bashkimi Europian.












Botërori 2026 
