Moti i keq me reshje shiu, dëbore dhe temperatura të ulëta po mban të mbërthyer Shqipërinë.
Në qarkun e Durrësit situata vijon të jetë e vështirë, pasi lumi Erzen ka dalë nga shtrati në Sukth, duke përmbytur tokat bujqësore dhe banesat. Autoritetet nisën evakuimin e menjëhershëm të banorëve nga Sukthi dhe Katundi i Ri. Siç shihet në këto pamje, uji ka mbuluar rrugët në Sukth, duke vështirësuar edhe lëvizjen.
Problematike mbetet situata në zonën e ish-Kënetës, Shkozetit dhe Nishtullës, ku ka prezencë uji në rreth 800 banesa dhe biznese. Rreth 300 persona janë evakuuar nga këto zona.
Moti i keq ka shënuar edhe një viktimë, pasi një 56-vjeçar, punonjës i ndërmarrjes komunale të Durrësit, dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit në një kanal kullues në afërsi të ish-repartit ushtarak.
Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për përmbytjet, nëse kanë ardhur për shkaqe natyrore apo për mos përmbushje të detyrës dhe neglizhencë. Organi i akuzës sqaron se ky procedim penal është regjistruar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkatërrimit të pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimit të pronës nga pakujdesia”.
Në qarkun e Vlorës, lumi Vjosë ka dalë nga shtrati dhe rrezikohen nga përmbytja fshatrat Bishan, Fitore dhe Novoselë. Në Mifol është çarë argjinatura, uji ka depërtuar në toka bujqësore dhe në oborre banesash. Situata paraqitet më e rëndë në fshatin Bishan. Raportohet për sera të dëmtuara, bagëti dhe shpendë të ngordhur, si dhe disa shtëpi nën prezencën e ujit.
Uji i lumit Vjosë, që ka dalë nga shtrati, ka hyrë edhe në autostradën Vlorë–Levan, në vendin e quajtur Qarr. Në një segment prej 500 metrash në njërin krah të autostradës, prezenca e ujit vështirëson qarkullimin e automjeteve.
Situata u rëndua gjatë mbrëmjes në Ferras të Fierit. Uji hyri në fshat, ndërsa autoritetet evakuuan të gjithë banorët e rrezikuar. Në Ferras ishte edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
“Bashkia e Fierit ka përgatitur një nga konviktet, por nga çfarë kemi marrë vesh, kanë preferuar të qëndrojnë këtu në zonë dhe kanë qëndruar në shtëpi të tjera që nuk kanë prezencë të ujit.”
Sipas Ballukut, evakuimet do të vijojnë edhe gjatë natës në zonat ku do të jetë e nevojshme. Ndërsa në orët e fundit niveli i Vjosës në pikën e matjes në Memaliaj ka rënë.
Më herët gjatë ditës së sotme, numri dy i qeverisë tha se pas kalimit të kësaj situate do të bëhet kompensimi për familjet e dëmtuara nga përmbytjet.
Ndërsa Llogaraja është zbardhur nga dëbora, por pa krijuar vështirësi në lëvizje.
Në qarkun e Lezhës, situata vijon të jetë problematike në zonat rurale. Me prezencë uji janë 235 banesa në territorin e Kurbinit dhe 30 në bashkinë e Lezhës. Tetë familje janë evakuuar për shkak të situatës.
Më e rëndë situata është në Sanxhak, Gjormë dhe Adriatik, Gorre e Patok të Kurbinit. Sipas të dhënave më të fundit, dëmtimi i argjinaturës së lumit Drojë ka rritur nivelin e ujit në këto zona. Sipas autoriteteve, kjo po sjell probleme madhore jo vetëm në lëvizjen e ujërave, por po rrit çdo orë edhe numrin e familjeve që kërkojnë evakuim dhe dëmet në bujqësi dhe blegtori.
Rreth 4 mijë hektarë tokë bujqësore janë përmbytur në qarkun e Lezhës. Vetëm në Torovicë ndodhen në ujë 2 500 hektarë.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme edhe në qarkun e Korçës. Njëra prej korsive Pogradec–Qafë Thanë është e bllokuar si pasojë e inerteve.
Ndërsa fusha e Maliqit vijon të jetë e mbuluar nga uji dhe reshjet e dëborës.
Për shkak të problemeve me rrëshqitjet e dherave, mbrëmjen e së mërkurës është mbyllur aksi “Qukës–Qafë Plloçë”. Siç shihet nga pamjet, në disa segmente ka rrëshqitje inertesh.
Aksi “Përmet-Çarçovë”, në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Petranit”, është bllokuar si pasojë e çarjes së karrexhatës për shkak të reshjeve të dendura të shiut.
Reshjet e dëborës kanë përfshirë edhe zonat malore të Elbasanit dhe Dibrës. Nga dita e premte pritet rënie e prurjeve dhe niveleve në të gjithë lumenjtë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 