Moti i keq me reshje të dendura shiu dhe erëra të forta ka shkaktuar një sërë problematikash në vend gjatë orëve të fundit.
Kushtet atmosferike kanë vështirësuar trafikun ajror në Rinas, ku pesë avionë janë detyruar të devijojnë drejt aeroporteve alternative.
Më problematike situata ka qenë në veri të vendit. Në Shkodër, era e fortë ka rrëzuar disa pemë në unazën perëndimore pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe në disa akse të tjera, duke bllokuar përkohësisht lëvizjen.
Ndërhyrja e ekipeve të bashkisë ka bërë të mundur pastrimin e rrugëve dhe rikthimin e qarkullimit normal.
Ndërkohë, stuhia ka shkaktuar dëmtime në çatinë e urës lidhëse mes Urgjencës dhe godinës së Spitalit të Pukës.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor bën me dije se po merren masat për riparimin e dëmeve dhe se shërbimi mjekësor për pacientët vijon pa ndërprerje.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, njofton se qarkullimi në të gjitha akset nacionale vijon normalisht dhe grupet e punës janë në terren.
Ndërkohë që 52 fidera janë jashtë pune, kryesisht në zonat rurale të Matit, Mirditës, Lushnjës, Bajram Currit.
Ndërhyrjet në këto zona paraqesin vështirësi për shkak të distancave të mëdha të rrjetit elektrik, si dhe terrenit të vështirë.
Sa i përket situatës hidrike në Kaskadën e Drinit, prurjet natyrore paraqiten në nivele të menaxhueshme, me 250 metër kub në sekondë në Fierzë, 800 në Koman dhe 50 metër kub në sekondë në Vaun e Dejës.
/tvklan.al












Botërori 2026 