Zhurma e veçantë e motorëve, parada në rrugët kryesore të Korçës dhe atmosfera rock kanë sjellë një tjetër fundjavë plot adrenalinë në qytet.
Mbi 60 klube motoristësh dhe rreth 700 motoristë janë bërë pjesë e këtij edicioni, të cilit i janë bashkuar grupe nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Italia, Zvicra, Suedia dhe, për herë të parë, edhe nga Norvegjia.
Ajo që nisi shtatë vite më parë si nismë e një grupi të vogël miqsh të apasionuar pas motorëve, sot është shndërruar në një festival ndërkombëtar. Organizimi kërkon muaj të tërë përgatitjesh, ndërsa synimi mbetet promovimi i kulturës së motorizmit, muzikës rock dhe turizmit në qytetin e Korçës.
Mes pjesëmarrësve nuk mungojnë as vajzat që ndajnë të njëjtin pasion për motorët. Anita Shahinas tregon se motoçikletën e ka ngarë që në moshën 13-vjeçare, ndërsa sot udhëtimet me motor janë bërë pjesë e pandashme e jetës së saj.
Atmosfera festive ka tërhequr motoristë nga i gjithë rajoni. Për Ljubomir Jakshevskin nga Shkupi, kjo është hera e parë në festivalin e Korçës, ndërsa vlerëson organizimin dhe mikpritjen që gjeti në qytet.
Për shumë pjesëmarrës, pasioni për motorët mbetet i pandryshuar me kalimin e viteve, pasi eksperienca i shtyn të zbulojnë dimensione të reja. Bardhi Spahiu nga Fieri, i cili prej dekadash udhëton me motor, thotë se Korça mbetet një nga destinacionet e tij të preferuara.
Çdo edicion sjell më shumë vizitorë në Korçë, duke e kthyer festivalin në një aktivitet me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 