Shijaku u kthye mbrëmjen e së shtunës në kryeqendrën e motoristëve, duke mirëpritur mbi 2500 pjesëmarrës nga më shumë se 50 vende të ndryshme të botës dhe diaspora shqiptare, në edicionin e pestë të aktivitetit “Motor Fest”.
Atmosfera festive nisi që në orët e pasdites, kur dhjetëra grupe motoristësh nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Greqia, Italia, Franca, Gjermania, Holanda, Suedia, Danimarka, Zvicra dhe vende të tjera mbërritën në qytet për t’u bërë pjesë e këtij eventi tashmë tradicional.
Parada e motorëve u zhvillua përgjatë itinerarit Shijak–Durrës–Shijak, duke tërhequr vëmendjen e qindra qytetarëve dhe turistëve që ndoqën kalimin e kolonës së motorëve. Pas ndalesës në shëtitoren “Taulantia” në Durrës, motoristët u rikthyen në qendër të Shijakut, ku festa vijoi deri në orët e vona të mbrëmjes.
Muzika rock, koncertet live dhe aktivitetet argëtuese krijuan një atmosferë të veçantë, ndërsa pjesëmarrësit ndanë përvoja, histori udhëtimesh dhe miqësi të reja.
I kthyer tashmë në një traditë të fillimit të sezonit veror, “Motor Fest” jo vetëm promovon kulturën e motoristëve, por edhe kontribuon në promovimin turistik dhe ekonomik të zonës, duke sjellë vizitorë nga vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë.
/tvklan.al












Botërori 2026 