Mbi 2000 motoristë krijuan një atmosferë elektrizuese në Shijak, në një festë që tejkaloi kufijtë e pasionit për motorët.

Parada e motorëve, që nisi nga Shijaku dhe vijoi drejt qytetit bregdetar të Durrësit, mblodhi pjesëmarrës nga e gjithë Evropa dhe madje edhe nga Amerika e largët, duke e kthyer ngjarjen në një spektakël ndërkombëtar.

“E shoh që kanë ardhur nga Italia, Zvicra, Holanda, Suedia, Kosova, Maqedonia”, tha Artan Lala, President i “Albanian Bikers”.

Ky është viti i katërt radhazi që organizohet eventi “Motor Fest”, ku për dy vitet e fundit mikpritëse ka qenë Bashkia e Shijakut.

“Në një farë mënyre promovojmë turizmin e butë të Shijakut, elitarë, dhe jo vetëm të Shijakut, të qarkut të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë. Ju jeni ambasadorë të vendeve tuaja dhe shumë faleminderit që promovoni dhe kulturën e Shijakut”, Elton Arbana, Kryetari i Bashkisë

Pas paradës spektakolare, festa vazhdoi me ritmet e një koncerti, ku performuan emra të njohur të artit shqiptar.

Atmosfera u pasurua edhe më tej nga performanca energjike e trupës së Asamblit Rinor Shijak, që solli një ngjyrë të veçantë në qendër të qytetit.

Klan News

/tvklan.al