21 nëntor 2026 – Për kryebashkiakun e Tiranës, kryeministri Edi Rama “uroi me gjithë zemër” që ta kuptonte se ishte në gabim në raport me të dhe Partinë Socialiste, por paralajmëroi ndëshkim për gjithë zinxhirin drejtues në bashki që janë bërë palë me vendimet absurde të Erion Veliajt.
Nga Asambleja e Tiranës, Edi Rama foli për riorganizimin e bashkisë i sigurtë në bindjen për ta fituar në zgjedhjet e 9 majit 2027. Konsideruar më shumë se një përgatitje për një tjetër garë elektorale, ky riorganizim do të përfshijë anëtar e qytetar e do të riaktivizojë çdo shtresë e komunitet, me në krye buxhetin e parashikuar për vitin e ardhshëm.
Kreu i qeverisë specifikoi se askush që cenon besimin që qytetarët i dhanë për drejtimin e Shqipërisë, nuk do të tolerohet e aq më tepër të ketë më vend në familjen e Partisë Socialiste.
“Kushdo të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës me detyrat ndaj familjes sonë politike dhe borxhet që i kemi atyre që na kanë besuar, nuk do të ketë më vend në këtë shtëpi politike. Të gjithë janë të nevojshëm, por askush i domosdoshëm”, tha Rama.
Rama: Goditja e njerëzve në krye të detyrës, as nuk harrohet e as nuk falet
Izolimi e ka “detyruar” Veliajn të gjykojë e të nxisë fantazi të gabuara, thotë Rama, por kushdo që është i lirë dhe bëhet palë me të, nuk do të falet. Konkretisht, Rama tha se punonjës janë shkarkuar nga detyra në Bashkinë e Tiranës me urdhër të Veliajt nga drejtuesit e besuar të tij.
“Njeriut që nuk është i lirë, i jepet të lexojë saktë situatat, të fantazojë duke folur gabim dhe të porosisë gabimisht punë të gabuara, por askujt që ka lirinë të marrë vendime në një funksion politik, nuk i falet të bëjë të njëjtat gabime dhe lërë pastaj të zbatohen porosi që e bëjnë bashkëfajtor ndaj të tjerëve. Çdo drejtuesi të hallkës së drejtimit të Bashkisë së Tiranës, i them sot se goditja e njerëzve në krye të detyrës me porosi nga lart për motive të pajustifikueshme as nuk do të harrohet, as nuk do të falet. Jemi partia që e kemi çliruar shtetin nga makthi i keqtrajtimeve apo largimeve politike nga puna”, tha Rama.
“Nuk largohen njerëz nga puna se nuk i bëjnë ‘like’ dorëshkrimeve të Lali-t nga burgu imagjinar politik”
Rama e vijoji më tej duke thënë se shkarkimet kanë ardhur për arsye absurde. Duke i uruar Veliajt të qartësohet në gabimin e tij, Rama thotë se çdo person tjetër do gjykohet ashpërsisht për zbatimin e kuturisjes qorre të Veliajt kundër njerëzve të bashkisë.
“Prej vitesh s’u kërkon askush llogari për kë votojnë, jo më t’i largojnë nga puna pse nuk paraqiten me uniformën e partisë. Si mund të largohet një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si të tjerë drejtues dhe punonjës, pse nuk u bëjnë ‘like’ e ‘share’ dorëshkrimeve të Lali-t nga burgu imagjinar politik, apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij?
Ky i fundit i adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku s’do të tolerohet më askush që sillet me popullin si e ëma e Zeqos në majë të thanës.”
“S’e gjykoj dot Erjonin për çfarë thotë e çfarë ai bën, uroj me gjithë zemër të kuptojë se është në gabim ditë e natë në raport me mua dhe në raport me PS. Por ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në Bashkinë e Tiranës që do zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë , qofshin qytetarë, apo si Erjona Lalaj ( Kreu i policisë bashkiake ), apo demokratë që punojnë në radhët e mijëra njerëzve në bashkinë e Tiranës”, tha Rama.
Buxheti historik 2027, “arma” e Partisë Socialiste
Buxheti i 2027 është konsideruar historik nga PS për shkak të vlerës prej 10 miliardë eurosh të paarritur më parë. Rama përsëriti dhe njëherë uljen e TVSH-së me 6% për 54 produkte të shportës bazë, duke e konsideruar si një arritje për mbështetjen që duhet të marrin qytetarët.
“Për herë të parë në historinë e këtij shteti, ne kapërcejmë pragun e 10 mld eurove në buxhet. Arritjet tona nuk janë medalje për gjoksin e qeverisë. Për një familje që numëron lekët në fund të muajit, rëndësi ka jo sa e madhe është ekonomia në grafikët e statistikave tona, por sa e shtrenjtë është shporta në dyqanin e lagjes. Është një arritje kuptimplotë e kësaj përpjekje të gjatë, që në buxhetin 2027 54 produkte të shportës, do të kenë TVSH të ulur në 6%”, tha Rama.
Pensionet vijojnë të mbeten një temë e diskutueshme. Kreu i qeverisë tha se borxhi moral me pensionistët është vështirë të lahet, por qeveria sot ofron dyfishim të bonusit nga çdo 1 janar deri në fund të këtij mandati.
“E dimë që pensionistëve u kemi një borxh që nuk e shlyejmë dot në të gjallën tonë. Borxh moral ndaj një gjenerate që e mbajti mbi shpinë Shqipërinë, në trupin me kockat e varfërisë së vet, duke punuar pafund dhe duke marrë thuajse asgjë nga puna. Nuk i kthejmë dot mbrapsht vitet që ikën, por ne, falë rritjes së ekonomisë, mund t’ua bëjmë pak më të lehta dhe çdo vit edhe pak më të lehta vitet që ata kanë përpara. Nga 1 janari, përsëri bonusi i tyre i fundmuajit do të rritet dhe rritja do të jetë dyfishi i rritjes së vitit të shkuar. Ndërsa indeksimi do të afrohet në muajin prill. Askush të mos mendojë se më ndjekin se unë mendoj se këto mjaftojnë. Jo, por padiskutim që ka një ndryshim midis një pensioni që nuk rritet dhe një pensioni që rritet çdo vit. Kjo nuk është pika e mbërritjes, është vetëm një stacion i një rruge ku vitin e ardhshëm, pas këtij që po vjen, përsëri do të dyfishohet rritja dhe vitin e fundit të këtij mandati do të dyfishohet rritja e një viti më parë”, tha Rama.
“Nga Partia Socialiste kalon rruga e Tiranës në Shqipërinë në BE”
Kryeministri Rama tha se PS e ka nxjerrë kryeqytetin nga humnera dhe se qytetarët kanë rritur standardet e jetesës. Kjo është fazë e integrimit drejt BE-së, thotë Rama dhe një sfidë për t’i përmbushur pritshmëritë qytetarëve.
“Nga kjo parti kalon rruga e Tiranës 2030 në Shqipërinë 2030 në BE. E dinë të gjithë, por ne duhet t’ua tregojmë atyre që edhe mund të mos ta dinë, se nga çfarë humnere e nxorrëm Tiranën. Sot qytetarët e krahasojnë Tiranën jo me atë që ishte, por me qytetet e Europës. Kjo është fitorja më e madhe, por edhe sfida jonë më e madhe sepse jemi ne që ia kemi ndryshuar horizontin e pritshmërive dhe tani nuk na presin dot ne, por duhet të vrapojmë me pritshmëritë e tyre”, tha Rama.
Edi Rama e mbylli fjalën e tij nga Asambleja e Tiranës duke pranuar gabimet e PS-së, por dhe aftësinë për tu ringritur. Tirana dhe jo vetëm, do të jetë fitorja e radhës e socialistëve për t’ia rikthyer qytetarëve. Në fund, e mbylli me mesazhin se me trëndafilin e PS, kurajë e kthjelltësi, asgjë e askush nuk i ndal.
/tvklan.al












Botërori 2026 