Seanca e ndërmjetësimit në rubrikën “Shihemi në gjyq” në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ishte regjistruar dy ditë para se të ndodhte izolimi i vendit për shkak të koronavirusit.

Përballë njëra – tjetrës ishin dy motra nga Korça, që prej 5 vitesh janë në konflikt midis tyre për shkak të një borxhi.

Edlira kishte kërkuar nga motra e saj një shumë lekësh për të vazhduar disa gjyqe që kishte hapur për një çështje prone, por edhe pse kanë kaluar kohë, ajo ende nuk ia ka kthyer.

E gjetur pa asnjë zgjidhje, motra e saj Stolia pavarësisht se e ka shumë të vështirë,  i drejtohet programit për të kërkuar të drejtën e saj.

Stoli: Halli të sjell ndonjëherë në këtë derë, por falë zonjës Eni, unë mund të qaj një hall dhe të zgjidh një të drejtën time. Para disa vitesh motra ime kishte dhe ka një problem gjyqësor, më thotë motër do më ndihmosh se deri këtu kam ngelur. Unë jam e martuar, me burrë, me dy fëmijë të martuar, jam dhe 4 herë gjyshe më ka ardhur shumë e rëndë të vija këtu. Por mua më ka hyrë sikleti në shtëpinë time, ndihmova motrën dhe ja futa vetes, i thonë një llafi. S’kam ç’të bëj zonja Eni.

Edlira: Motër po nuk mund ta zgjidhnim midis motrash?

Stoli: Të lutem shumë motër, të mbaroj pastaj vazhdo ti!

Edlira: Po të lutesh ti dhe të lutëm unë, po ne e kishim midis motrave.

Stoli: Po midis motrash, po unë kam 6 muaj që më ke mbyllur telefonin.

Edlira: Po ti nuk më di hallin moj motër si e kam, prandaj e kam mbyllur telefonin.

Stoli: Hallin ta dita, prandaj ta qava moj motër.

Edlira: Ma qave atë hallin që ishte kryesori, por kam patur një hall që ka qenë më i madh.

Stoli: Dhe mblodha kursimet e mia, të burrit të djalit dhe ta qava hallin dhe tani hyra në siklet për vete.

Edlira: Moj motër e mira, me të mira do të shpërblehet.

Stoli: Ti sot gjyq, nesër gjyq, ti ke 5 vite.

Edlira: Sot kisha keq unë, mos thëntë Zoti të kesh keq ti!

Stoli: Kur do të zgjidhet kjo e drejtë ty?

Edlira: Po me motër mbeta me letra në dorë, ku të më zgjidhet.

Stoli: Më the do marrë verifikuesin për problemin që kam..

Edlira: Po e mora ekspertin!

Stoli: Më the të fitoj tokën time, që më ka dhënë ligji dhe ty do të shlyej.

Edlira: Ka mundësi të shpjegohem motër pse t’i kam ato lekë unë?

Eni Çobani: Ti Edlira i more paratë?

Edlira: Po moj motër i mora dhe nuk mund t’ja ha djersën.

Eni Çobani: Ti e mbarove hallin për atë që ja more dhe kur ja kthen lekët, se është bërë problem kjo?

Ardit Gjebrea: Zonja Eni se ju e dini problemin, por ne nuk e dimë? Çfarë borxhi i ka motra motrës?

Eni Çobani: I ka marrë një borxh financiar në një moment që asaj i duheshin, për hapjen e një procesi gjyqësor dhe nuk i vë një afat se kur do ja kthejë. Kemi kaluar 5 vjet dhe mund të vazhdojë dhe 10 vjet të tjera gjyqi dhe lekët kur jepen, se ky është problemi tani. /tvklan.al