Aktori turk Ozan Guven ka zbuluar se fillimisht iu propozua roli i Sulltanit në serialin e famshëm “Sulejmani i Madhërishëm” i transmetuar në Tv Klan, por ai nuk e pranoi ofertën. Vetëm pas vdekjes së skenaristes Meral Okay, aktori u bë pjesë e produksionit, duke marrë rolin e Rustem Pashës, pasi producenti i tregoi një shënim që ajo kishte lënë për të.
Guven, i cili u bë i njohur për publikun pikërisht me personazhin e Rustem Pashës, rrëfeu këtë histori gjatë shfaqjes së tij “OMG”, raportojnë mediat turke.
Sipas aktorit, Meral Okay e kishte kontaktuar në kohën kur seriali ishte ende në fazën përgatitore dhe i kishte ofruar të interpretonte Sulltanin. Por Guven sapo kishte nisur xhirimet e serialit “Canim Ailem”, ku luante së bashku me Ugur Yucel, ndaj vendosi ta refuzonte propozimin.
“Unë të ofroj një sulltan, dhe ti do të luash rolin e kamarierit?”, tregoi aktori reagimin e skenaristes ndaj vendimit të tij.
Pas përfundimit të “Canim Ailem”, Meral Okay ndërroi jetë. Pak kohë më vonë, aktori mori një telefonatë nga producenti Timur Savci, i cili i bëri të ditur se personazhi i Rustem Pashës do të përfshihej në serial dhe e pyeti nëse dëshironte ta interpretonte.
Fillimisht, Guven nuk ishte i bindur, pasi sapo kishte përfunduar xhirimet e serialit të dytë. Megjithatë, producenti i tregoi një shënim që Meral Okay kishte shkruar posaçërisht për të, duke e bindur të bëhej pjesë e projektit.
“Të nesërmen isha në një fushatë për në Tabriz!”, tregoi ai, duke kujtuar se sa shpejt ndryshoi vendimi i tij.
Ozan Guven iu bashkua kastit të “Sulejmani i Madhërishëm” në vitin 2013, në rolin e Rustem Pashës. Sot, aktori shprehet se nuk është aspak i penduar që e pranoi ofertën.
“Është mirë që kam luajtur, përndryshe do ta kisha shumë zili një koleg që do të luante Rustem Pashën”, u shpreh ai.
Në dhjetor të vitit 2016, Ozan Guven vizitoi Sarajevën së bashku me Meryem Uzerli, aktoren që interpretoi Hyrrem Sulltanen në “Sulejmani i Madhërishëm”. Të dy prezantuan atje filmin “Plaga e Nënës Sime”.
/tvklan.al












Botërori 2026 
