Raportim Live

Trump: Çmimi i karburantit nuk po rritet më për shkak të Hormuzit…

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, në një postim në rrjete sociale, tha se çmimi i karburanteve nuk po rritet nga Ngushtica e Hormuzit, por si pasojë e bombardimeve ukrainase ndaj rafinerive ruse.

“Ajo që po rrit çmimin e benzinës nuk është më ngushtica e Hormuzit, sepse një numër rekord fuçish e kalojnë atë pothuajse çdo ditë, por rafineritë, me ato ruse që po bombardohen nga Ukraina dhe ato tonat që janë të mbyllura, në shtetet blu si Kalifornia, nga demokratët budallenj”.

“Porta e Lotëve”, pse ka rëndësi Moka?

Forcat e armatosura të Jemenit thonë se kanë rimarrë kontrollin e Mokës pasi luftëtarët Huthi e pushtuan qytetin në fillim të shtatorit. Betejat u zhvilluan në disa zona përreth Mokës dhe përfshinë përdorimin e llojeve të ndryshme të armëve.

Moka ka vazhduar të jetë një pikë kyçe në betejat mes forcave Huthi dhe qeverisë së mbështetur nga Arabia Saudite në Jemen.

Gjeografia e Mokës e bën kapjen e saj një shqetësim global. Qyteti ndodhet rreth 75 km në veri të ngushticës Bab al-Mandeb, e cila lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit.

E njohur si “Porta e Lotëve”, ky kalim i ngushtë është një arterie kritike për naftën bruto dhe karburantin që udhëton nga Gjiri drejt Mesdheut përmes Kanalit të Suezit, si dhe për mallrat aziatike dhe naftën ruse.

download app

Zhvillimet më të fundit:

-Agjencia pro-qeveritare Saba në Jemen citoi një burim ushtarak duke thënë se forcat e qeverisë kanë marrë kontrollin e qytetit portual Moka, në perëndim të provincës Taiz.

-Sekretari i amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Arabia Saudite ka të drejtë të mbrohet nga sulmet e Houthive dhe se SHBA-të do të nderojnë angazhimin e tyre ndaj mbretërisë.

-Presidenti i Iranit, Pezeshkian, ka propozuar Mehrdad Akhlaghin si ministër të ri të Mbrojtjes.

-Ushtria izraelite thotë se do të vazhdojë operacionet në jug të Sirisë për të “hequr” ato që pretendon se janë “kërcënime” ndaj qytetarëve të saj.

Sinjalet ishin dhënë prej kohësh, si u paralajmërua lufta SHBA-Iran

Rreth 18 muaj më parë, zyrtarë të lartë të Pentagonit u përplasën për mënyrën se si SHBA-të duhej t’u përgjigjeshin sulmeve të Houthive ndaj anijeve në Detin e Kuq.

Gjenerali Michael Erik Kurilla kërkonte një përgjigje të shpejtë ushtarake ndaj Houthi-ve dhe mbështetësve të tyre iranianë. Ndërsa zyrtarë të tjerë, përfshirë kreun e atëhershëm të Shefave të Shtabeve të Bashkuara, Charles Q. Brown Jr., kërkonin më shumë kujdes dhe vlerësim të situatës.

Këto përplasje u shfaqën më qartë në mars 2025, kur SHBA-të nisën operacionin “Rough Rider” kundër Houthi-ve. Gjatë fushatës u kryen mbi 1 mijë sulme ajrore, por pati debate për objektivat e operacionit, viktimat civile dhe pakësimin e rezervave amerikane të municioneve.

Operacioni përfundoi në maj 2025 pas një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Omani. Më pas, Houthi-t rifituan forcën dhe vazhduan sulmet në rajon.

Sipas kritikëve të cituar nga “Washington Post”, këto zhvillime treguan se administrata amerikane kishte probleme në përcaktimin e objektivave dhe në vlerësimin e kërcënimit që paraqisnin Houthit. Artikulli thekson se problemet e shfaqura gjatë asaj periudhe shërbyen si një paralajmërim për vështirësitë me të cilat SHBA-të do të përballeshin më vonë në luftën me Iranin.

Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, JD Vance, u tha gazetarëve se ende nuk ka parë prova përfundimtare që tregojnë për një rol të Iranit në incidentin me një avion të kompanisë Flydubai javën e kaluar, raporton Reuters.

Forcat izraelite do të vazhdojnë operacionet në jug të Sirisë

Ushtria izraelite thotë se synon të vazhdojë operacionet në jug të Sirisë për të “hequr çdo kërcënim” ndaj qytetarëve të saj. Një deklaratë ushtarake pretendoi se trupat gjetën tre municione kundër tankeve dhe dy mina tokësore në zonë. Forcat izraelite vranë një sirian në jug të Sirisë të dielën.

Ndërtimi i linjës ushtarake “Sufa 53” në Quneitra filloi gjithashtu dje, ndërsa Turqia, Katari, Jordania dhe Kuvajti dënuan okupimin dhe ekspansionizmin e paligjshëm të Izraelit.

Ibrahim Olabim, përfaqësuesi i përhershëm i Sirisë në OKB, i tha Këshillit të Sigurimit muajin e kaluar se agresioni izraelit paraqet “kërcënimin më të madh për stabilitetin e të gjithë rajonit, jo vetëm të Sirisë”.

Mehrdad Akhlaghi, emërohet ministër i Mbrojtjes në Iran

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka propozuar Mehrdad Akhlaghin si ministër të ri të Mbrojtjes.

Akhlaghi më parë ka shërbyer si drejtor operativ në Organizatën e Industrive Aerohapësinore të Iranit. Së fundmi, ai ka qenë drejtues i lartë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes së Iranit është drejtuar përkohësisht nga disa liderë ushtarakë që prej vrasjes së gjeneral-brigade Aziz Nasirzadeh në fillim të luftës SHBA-Izrael.

Forcat qeveritare të Jemenit marrin kontrollin e Mokës

Agjencia pro-qeveritare Saba në Jemen citon një burim ushtarak duke thënë se forcat e qeverisë kanë marrë kontrollin e qytetit të Mokës, në perëndim të provincës Taiz.

IDF: Vramë një komandant të Hamasit, mori pjesë në sulmin e 7 Tetorit

Ushtria izraelite dhe Shin Bet njoftuan se një pjesëtar i Hamasit, i cili mori pjesë në sulmin e 7 tetorit 2023, është vrarë në një sulm në Gaza.

Sipas IDF-së, sulmi ndodhi të premten në Nuseirat, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
Viktima u identifikua si Ibrahim Mustafa Suleiman Abu Auaimer, i përshkruar nga IDF si komandant toge i forcave elitare Nukhba të Hamasit.

Izraeli pretendon se kohët e fundit ai ishte përfshirë në përgatitjen e sulmeve ndaj trupave dhe civilëve izraelitë, si dhe në rikthimin e kapaciteteve të Hamasit.

IDF deklaroi se operacioni kishte për qëllim eliminimin e kërcënimit që, sipas saj, përbënte Abu Auaimer.

Forcat qeveritare të Jemenit rimarrin kontrollin e Bab el-Mandeb

Forcat qeveritare të Jemenit kanë deklaruar se kanë rimarrë kontrollin e ngushticës strategjike të Bab el-Mandebit.

Sipas një zëdhënësi ushtarak, forcat qeveritare kanë marrë gjithashtu nën kontroll aeroportin e Dhubabit.
Ushtria ka ndërprerë edhe rrugën që lidh Dhubabin me Mokhën, ndërsa qeveria ka nisur një operacion të gjerë kundër forcave Houthi.

Koloneli Majed al-Nuzaili tha se Brigadat e Gjigantëve dhe forcat “Mburoja e Kombit” kanë siguruar ngushticën.

Bab el-Mandebi është një pikë strategjike për trafikun detar ndërkombëtar, pasi lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit.