Specialistët e monumenteve: Dëmi i shkaktuar është i parikuperueshëm

Dy nga këmbët e kësaj ure janë dëmtuar rëndë. Jo vetëm nga natyra por edhe nga dora e njeriut që ka shfrytëzuar lumin Mat.

Kjo urë lidh Milotin me Lezhën dhe zonat përreth. Banorët që e përdorin për të lëvizur thonë se u rrezikohet jeta.

“Nga do kalojmë ne? Nga do kalojmë, jemi të rrezikuar”, thotë një qytetar.

Prej vitesh në Urën me Harqe nuk është bërë asnjë investim. E vetmja ndërhyrje janë një grumbull gurësh që është vendosur për të frenuar intensitetin e lumit Mat. Kjo sipas specialistit të monumenteve të kulturës në Lezhë Paulin Zefi është e pamjaftueshme.

“Që nga viti 1991 dhe deri më sot nuk është bërë as edhe një ndërhyrje serioze në atë urë. Përveç disa studimeve, që janë shumë të vogla, sipërfaqësore, sintetike, ndërhyrje serioze nuk ka”, thotë Zefi.

Sipas Zefit dëmi që i është bërë kësaj ure është i parikuperueshëm.

“Edhe po të ndërhyhet, tashmë ndoshta do të duhen qindra mijëra euro dhe është shumë e vështirë që kjo urë të kthehet në identitet, por nëse do të ishte ndërhyrë me kohë. Të paktën mos të ishte abuzuar sistematikisht dhe nuk do të kishim ardhur tek kjo ditë që përjetojmë sot”, u shpreh ai.

Ura me Harqe është monument kulture i kategorisë së parë.

Klan News