Përtej emrave të bërë tashmë publikë si mungesa në listën e Kombëtares, si Strakosha, Ajeti apo Broja, ka edhe disa të tjerë që këtë herë nuk kanë marrë ftesën e trajnerit Rolando Maran. Bëhet fjalë kryesisht për zgjedhje teknike, ndërsa për disa prej tyre dera e Kombëtares mbetet e hapur për grumbullimet e ardhshme.

Në mesfushë, përveç Nedim Bajramit, jashtë listës ka mbetur edhe Nazmi Gripshi. Gjithashtu, për të mos rrezikuar një tjetër dëmtim, sepse sapo është kthyer nga rikuperimi, Medon Berisha nuk është thirrur këtë herë. Por, mesfushori i Leçes vlerësohet nga trajneri Maran dhe në vazhdim do të jetë një nga lojtarët kryesorë të projektit të italianit. Ndërkohë, në prapavijë nuk janë preferuar Bujar Pllana dhe Enea Mihaj.

Një tjetër emër i njohur që mungon në këtë grumbullim është Jasir Asani, i cili nuk ka marrë ftesë nga stafi teknik.

Por, vëmendja shkon edhe te dy emra që ishin përfolur si alternativa të reja për Kombëtaren. Mbrojtësi i djathtë Arda Kurtulan, që aktivizohet në Turqi, dhe sulmuesi Nelson Vajper nuk kanë gjetur vend në listën e Maran.

Megjithatë, mungesa në këtë grumbullim nuk do të thotë se dera është mbyllur. Sezoni është i gjatë dhe paraqitjet me klubet, forma sportive dhe nevojat e Kombëtares mund të ndryshojnë edhe listat e ardhshme.

Kështu, konkurrenca për një vend në ekipin kuqezi mbetet e hapur, me disa prej këtyre lojtarëve që do të synojnë të rikthehen në vëmendjen e stafit teknik në vazhdim. Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë më 26 shtator në shtëpi kundër Bjellorusisë, me takimin që do të transmetohet në TV Klan.

/tvklan.al