Në Rinas udhëtarët që vijnë apo shkojnë duhet të lëvizin, nga hyrja e pikës së kontrollit deri të postoblloku i parë i rrethimit aeroportual, në këmbë. Kjo është e vlefshme për të gjitha moshat dhe në kushte atmosferike me shi apo diell. Ndryshe nga të gjithë aeroportet e botës, automjetet apo taksitë nuk lejohen t’i afrohen pikës së hyrjes dhe daljes dhe pasagjerët me bagazhet e rënda duhet t’i nënshtrohen kësaj sforcoje fizike.

“Është çik ndryshe në fakt, me ç’është në aeroportet në Romë ose në Paris, por ne jemi mësuar, nuk më ka bërë ndonjë përshtypje shumë të madhe. Fakti që njerëzit më prisnin përballë…”

“Sigurisht do të na pëlqente të kishte kushte brenda, por me këto kushte që ka shteti s’kemi çfarë të themi më tej.”

Gazetarja: “Është e vështirë kjo lëvizja me bagazhe në diell, në shi?”

“Po është diku pak e vështirë, jo siç e kanë shtetet e tjerë. Do të ishte diku më mirë të afroheshim pak ose të kishte disa karroca këtu.”

“ Më shumë më shqetëson kjo rrëmuja e krijimit të këtyre lëvizjeve këtu në zonë p.sh., por jo që lëviz shumë larg.”

“Nuk është me një fjalë në kuptimin që mund të ishte më mirë ta bënin që njerëzit të mos prisnin në diell, kurse në Itali nuk është kështu, në Itali është shumë ndryshe.”

Aeroporti i Rinasit i është nënshtruar kohët e fundit një ristrukturimi total, por ndryshe nga çdo aeroport tjetër ndërkombëtar, ambientet e brendshme nuk janë planifikuar për salla pritjeje. Kështu, kushdo që është i detyruar të presë e të përcjellë njerëzit e tij duhet të qëndrojë në diell dhe për këtë autoritetet e aeroportit as nuk kanë planifikuar se kur mund të realizohen kushte më të mira në aeroport. /tvklan.al