Vazhdimi i krizës politike, zgjedhjet e njëpasnjëshme dhe mungesa e institucioneve me mandat të plotë rrezikojnë ta dëmtojnë edhe më tej pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Kështu shprehet ish-ministri i Diasporës, Valon Murati, i cili paralajmëron se vazhdimi i status quo-së politike mund ta lërë vendin pas edhe në raport me zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.

“Kosova në arenën ndërkombëtare mund të them ka vite që është e dëmtuar. Ne kemi një kryeministër i cili nuk ka shkelur asnjëherë, jo në Shtëpinë e Bardhë, por në Departamentin e Shtetit. Nuk e ka realizuar që gjashtë vite asnjë vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kemi, pra, qeveri e cila raportet me miqtë, me aleatët, i ka në nivelin më të ulët të mundshëm.”

Murati vlerëson se dialogu me Serbinë vazhdon të jetë një nga faktorët kryesorë që ndikon në këtë situatë.

“Ne tash jemi dy shtete, dy vende të cilat jemi, si të themi, peng të njëra-tjetrës dhe këtë njerëzit e kemi thënë sa e sa herë, por është e vështirë që ta bindësh edhe klasën politike, e cila realisht mbijeton, edhe zoti Kurti mbijeton mbi këtë konflikt.”

Ish-ministri i Diasporës thekson se politika në Kosovë vazhdon të dominohet nga raportet me Serbinë, duke lënë në plan të dytë çështjet ekonomike, sociale dhe integruese të vendit.

Tv Klan

/tvklan.al