Vedat Muriqi është nominuar për t’u përzgjedhur në formacionin më të mirë të vitit në kampionatin spanjoll. Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi i Majorkës, që tani kërkon ndihmën e tifozëve për ta votuar shqiptarin.
Sulmuesi ka shkëlqyer këtë sezon në La Liga duke udhëhequr ekipin e tij drejt objektivit për të mbijetuar mes më të mirëve të Spanjës, mision të cilin ende nuk e ka arritur zyrtarisht.
Si rezultat i paraqitjeve të tij, ai ndodhet në listën e gjatë për një vend mes yjeve në formacionin më të mirë të sezonit në La Liga, një vlerësim që reflekton ndikimin e tij të madh në fushë gjatë këtij edicioni.
32-vjeçari nga Prizreni ka arritur të shënojë 21 gola në kampionat dhe, kur kanë mbetur pak javë nga fundi, është në garë edhe për Këpucën e Artë, vetëm 3 gola pas Mbappé-së që udhëheq listën e golashënuesve të sezonit.
Muriqi theu rekordin e Samuel Eto’os si lojtari me më shumë gola në historinë e Majorkës dhe sezoni i shkëlqyer ka bërë që emri i tij të përfundojë edhe në listën e dëshirave të klubit të Barcelonës si një mundësi e mirë transferimi “low cost” në merkaton e verës.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
