Një zbulim i jashtëzakonshëm është bërë në një vilë luksoze në Lesa, mbi brigjet e Liqenit Maggiore në Itali. Brenda rezidencës madhështore me pamje panoramike, autoritetet italiane kanë zbuluar një koleksion të rrallë prej rreth 300 veprash arti me vlerë qindra milionë euro, raporton Corriere della Sera.

Ndër to përfshihen: vizatime të Pablo Picasso-s, një pikturë e Bruegel-it të Ri, një skulpturë e Auguste Rodin, piktura të shkollës së Rilindjes, mobilie antike të punuara me mjeshtëri, si dhe një vepër që, sipas ekspertëve spanjollë, mund t’i atribuohet Amedeo Modigliani-t.

Koleksioni i përkiste miliarderit gjermano-zviceran Gunther Hans Ludwig Kiss, një figurë ekscentrike dhe kontroverse, i përfshirë ndër vite në çështje gjyqësore dhe sipërmarrje të dyshimta mes Italisë dhe Zvicrës. Kiss, i cili kishte marrë shtetësinë zvicerane, por jetonte në Novara, ndërroi jetë në shkurt të vitit 2023 në moshën 81-vjeçare, vetëm një javë pas vdekjes së bashkëshortes së tij.

Të dy nuk kishin fëmijë dhe kishin lënë pothuajse gjithë pasurinë e tyre një fondacioni në Lihtenshtajn, ndërsa vila e famshme ishte kaluar në pronësi të një kompanie zvicerane.

Hetimet u vunë në lëvizje pas një telefonate anonime që njoftoi autoritetet kulturore italiane për praninë e veprave arti të jashtëzakonshme, të eksportuara ilegalisht nga Spanja, të cilat ndodheshin në vilën e çiftit dhe në ambientet e një prej kompanive të tyre.

Falë një hetimi të detajuar të karabinierëve të Njësisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Torino, të udhëhequr nga gjenerali Francesco Gargaro, u zbulua se 65 vepra arti ishin transferuar në mënyrë të paligjshme nga vila e çiftit në Marbella të Spanjës drejt Italisë në vitin 2018. Ministria spanjolle e Kulturës i kishte mohuar çiftit lejen për t’i transportuar, por ata kishin vendosur t’i nxirrnin në fshehtësi, me ndihmën e një “korrieri të besuar”.

Sipas Guardia Civil, gjithsej u transportuan ilegalisht 90 vepra, 50 prej të cilave u gjetën në vilën e Lesës, ndërsa 15 të tjera në galeri arti në Milano e Gjenovë, si dhe në shtëpi koleksionistësh të pasur në Itali. Fati i pjesës tjetër mbetet ende i panjohur.

Pjesa më e rëndësishme e koleksionit është një tablo e shekullit XVI e një shkolle që përshkruan “Pasionin e Krishtit” dhe ka një vlerë prej 350 mijë eurosh. Ajo u sekuestrua në prill 2023, kur karabinierët hynë në vilë, duke simuluar një kontroll për armët e lëna nga të ndjerët. Tabloja ndodhej e varur në një mur të vilës.

Aktualisht, rreth 200 vepra arti të tjera mbeten të bllokuara në vilën e Lesës, në pritje të zgjidhjes së kontestit civil për trashëgiminë. Në radhën e kreditorëve janë përfshirë një kompani energjetike gjermane që kërkon 24 milionë euro për një çështje patentash, si dhe ish-punonjës të çiftit Kiss, të cilëve nuk u janë paguar shpërblimet dhe të drejtat e punës.

Kjo histori zbërthen një realitet të errët mbi tregtinë dhe lëvizjen e paligjshme të pasurive kulturore në Evropë dhe risjell vëmendjen mbi nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar për mbrojtjen e trashëgimisë artistike botërore.

/tvklan.al