Iraku po planifikon ndërtimin e një tubacioni të ri për eksportin e naftës përmes Sirisë drejt Mesdheut, me synimin për të shmangur problemet e mundshme në të ardhmen në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas burimeve të Reuters, projekti pritet të kushtojë të paktën 15 miliardë dollarë dhe ndërtimi mund të zgjasë rreth 4 vjet. Qëllimi është krijimi i një rruge alternative për eksportin e naftës, duke ulur varësinë nga rrugët përmes Gjirit Persik.
Një tubacion që lidh rajonin e Kirkukut në Irak me portin sirian të Baniasit ekziston prej dekadash, por është dëmtuar rëndë gjatë luftërave në Irak dhe Siri dhe nuk është përdorur rregullisht që prej viteve ’80.

Burimet thonë se nuk do të mjaftojë rikonstruksioni i tubacionit të vjetër dhe se do të nevojitet ndërtimi i një infrastrukture të re. Sistemi i ri do të lidhte fushat naftësjellëse në veri dhe jug të Irakut me një qendër në Haditha, në perëndim të vendit, dhe më pas me portin e Baniasit në Mesdhe.
Tubacioni i ri parashikohet të ketë një kapacitet fillestar prej rreth 2 milionë fuçi naftë në ditë, shumë më tepër se kapaciteti i tubacionit të vjetër, prej rreth 300 mijë fuçish në ditë.
Iraku është ndër vendet më të prekura nga bllokimi i rrugëve të eksportit përmes Hormuzit. Para luftës, vendi eksportonte rreth 3.6 milionë fuçi naftë në ditë, kryesisht përmes terminaleve në Gjirin Persik.
Projekti është ende në fazën e studimeve teknike dhe financiare. Përveç kostos dhe kohës së ndërtimit, ai mund të përballet me vështirësi të tjera, përfshirë pastrimin e infrastrukturës së vjetër dhe sigurimin e të drejtave për përdorimin e tokës në Siri.
Nëse realizohet, tubacioni do t’i krijonte Irakut një tjetër dalje drejt tregjeve ndërkombëtare përmes Mesdheut dhe do të reduktonte varësinë nga Ngushtica e Hormuzit.
Marrëveshja e nënshkruar në korrik parashikon jo vetëm rikthimin e linjës së naftës, por edhe përgatitjen e infrastrukturës përreth saj. Në kuadër të saj janë nënshkruar dy memorandume mirëkuptimi: njëri mes kompanive shtetërore të naftës të Irakut dhe Sirisë dhe tjetri me një konsorcium ndërkombëtar, të ngarkuar me studimet teknike dhe financiare.
Për Sirinë, projekti shihet si një mundësi për t’u rikthyer në hartën rajonale të energjisë dhe për të krijuar të ardhura e investime të reja përmes rolit të saj si korridor tranziti.
Tubacioni “fantazmë”

Tubacioni Kirkuk-Banias është një nga rrugët e vjetra të eksportit të naftës së Irakut drejt Mesdheut. Ai u vu në funksion në 1952 dhe shtrihej për rreth 895 kilometra, duke transportuar naftën nga fushat e Kirkukut, në veri të Irakut, përmes territorit sirian deri në portin e Baniasit. Në këtë mënyrë, Iraku kishte një dalje drejt tregjeve ndërkombëtare pa u varur nga rrugët detare në Gjirin Persik.
Në periudhën e funksionimit, tubacioni u bë një korridor i rëndësishëm energjetik për të dyja vendet.
Përveç rolit ekonomik, ai kishte edhe peshë politike, pasi Siria përfitonte nga tarifat e tranzitit, ndërsa Iraku siguronte një rrugë alternative për eksportin e naftës. Dokumente historike amerikane konfirmojnë se nafta nga Kirkuku transportohej përmes Sirisë drejt Baniasit, krahas një linje tjetër që shkonte drejt Tripolit në Liban.
Por tubacioni është ndërprerë disa herë për shkak të konflikteve në rajon. Gjatë Krizës së Suezit në vitin 1956, disa stacione pompimi në Siri u dëmtuan nga bombardimet dhe transporti u ndërpre përkohësisht.
Më pas, gjatë luftës Iran-Irak, linja u mbyll për një periudhë të gjatë për shkak të marrëdhënieve të tensionuara mes Bagdadit dhe Damaskut.
Një tjetër goditje erdhi pas pushtimit të Irakut në vitin 2003, kur tubacioni u dëmtua dhe që prej asaj kohe nuk ka funksionuar rregullisht. Një përpjekje për ta rehabilituar atë u bë edhe në vitet 2007-2009, por projekti nuk u realizua.
Pra, nuk bëhet fjalë për një tubacion që ka funksionuar vazhdimisht deri në ditët e sotme. Është një infrastrukturë historike, pjesërisht e dëmtuar dhe jashtë përdorimit prej vitesh. Pikërisht për këtë arsye, projekti aktual është shumë më tepër sesa një riparim i thjeshtë: sipas burimeve të reja, pjesë të mëdha të sistemit mund të duhet të ndërtohen nga e para…

Kriza në Ngushticën e Hormuzit nisi pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, që solli kufizime të forta në kalimin e anijeve dhe vështirësi për eksportet e naftës.
Ngushtica është një pikë kyçe për tregtinë botërore të energjisë, ndaj bllokimi i saj ka rritur pasigurinë për furnizimet dhe ka nxitur vendet eksportuese të kërkojnë rrugë alternative. Pika e dobët e Hormuzit është pikërisht varësia e madhe nga një korridor i vetëm detar, çka ka bërë që çdo përshkallëzim ushtarak në zonë të ketë pasoja të menjëhershme për tregjet e naftës.












Botërori 2026 
