Në kushtet kur çmimi i naftës në pikat e tregtimit me pakicë po shënon rritje të përditshme, demokratët propozojnë dy ndërhyrje kryesore ligjore që sipas tyre do të ndikojnë drejtpërdrejt tek konsumatorët. Deputeti demokrat Enno Bozdo ka depozituar në Kuvend një propozim për uljen e taksës së qarkullimit në nivelin që ishte në vitin 2013, kur ata ikën nga pushteti, si dhe aplikimin e modelit të akcizës së ndryshueshme, sipas praktikës që aplikohet në shtetin fqinj, Itali.

“Përmes kësaj pakete ligjore propozojmë uljen e taksës së qarkullimit në nivelin që ka qenë në vitin 2013, përpara se qeveria Rama ta rriste 4-fish. Aplikimin e modelit të ‘akcizës së ndryshueshme’, sipas praktikës së ndjekur nga Italia, ku teprica e TVSH-së nga rritja e çmimit të karburantit përdoret për uljen e akcizës, duke ofruar kështu një mekanizëm shumë të ndershëm dhe në dobi të qytetarëve”.

Por ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, i pyetur për propozimin e demokratëve, nuk la të kuptohej se mund të merret parasysh nga qeveria shqiptare.

“Kemi ndjekur model tjetër. Taksa e qarkullimit është në të gjithë vendet e BE-së, disa vende e marrin në pikat e karburantit, disa në pagesat e taksave të mjeteve. Ne kemi gjykuar dhe vlerësuar se marrja e taksës së qarkullimit me pikën e karburantit është mjeti më i mirë, sepse paguajnë më shumë taksë ata që përdorin më shumë makinën”.

Karakaci la të hapur mundësinë për kthimin e Bordit të Karburanteve, strukturë që për qeverinë u provua si e suksesshme në vitin 2022 pas krizës së çmimeve të ndikuara nga lufta Rusi-Ukrainë.

“Jemi duke ndjekur në mënyrë dinamike tregun e karburanteve, çfarë po ndodh edhe në rajon, ka modele të ndryshme, s’kemi vendimmarrje për Bordin. Ky bord është aty dhe mund të krijohet me një vendim të Këshillit të Ministrave. Po e shohim dinamikën. Shihet a ka mungesë të produktit në treg. Të gjitha informacionet që kemi tregojnë se Ngushtica e Hormuzit nuk përbën problem furnizimi për grupet e furnizuesve shqiptarë. Mbi 90% e furnizimit vjen nga rrugë të tjera detare. Mekanizmi është aty, mund të ngrihet me një vendim të Këshillit të Ministrave. Kemi vlerësuar se me mesazhet përmes grupit të interesit, ta kuptojnë vetë rëndësinë. Është aty, mund të ngrihet shumë shpejt, por ende nuk është vendosur”.

Një ditë më parë, kryeministri u kërkoi sipërmarrësve në fushën e hidrokarbureve të mos abuzojnë me çmimet, pasi në të kundërt do të rikthehet Bordi i Transparencës që unifikonte me detyrim çmimet e tregtimit të naftës në pikat e furnizimit me pakicë.

Tv Klan

/tvklan.al