Nuk ka të ndalur rritja e çmimit të naftës dhe benzinës në vendin tonë edhe gjatë ditës së enjte në pikat e karburanteve në kryeqytet. Gjatë një vëzhgimi të bërë në shumicën e pikave të shitjes, çmimi i hidrokarbureve varion nga 199–214 lekë, duke pësuar një rritje prej rreth 9 lekësh për litër krahasuar me të mërkurën.

Prej më shumë se dy javësh nga nisja e konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës dhe benzinës në vendin tonë ka pësuar vetëm rritje në vazhdimësi.

Ndërsa, krahasuar me nivelin e çmimit në tregun me pakicë para nisjes së luftës, rritja e çmimit të hidrokarbureve është rreth 14% më e lartë.

Kjo rritje në vendin tonë vjen paralelisht me rritjen e çmimit të naftës në tregjet globale, ku sipas agjencisë së lajmeve Reuters çmimet e naftës së papërpunuar Brent u rritën mbi 119 dollarë për fuçi të enjten, pasi Irani sulmoi objektet energjetike në Lindjen e Mesme.

Gjithashtu, Reuters bën të ditur se kontratat e ardhshme të naftës së papërpunuar Brent u rritën me 6.02 dollarë ose 5.6%, në 113.40 dollarë për fuçi. Edhe sipas ekspertëve ndërkombëtarë, deri në përfundimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, tregjet globale të naftës do të mbeten të pasigurta.

Klan News

/tvklan.al