“Të kaltrit” takohen me agjentin e mbrojtësit të Kombëtares shqiptare

Napoli ka interes për mbrojtësin e Shqipërisë, Ardjan Ismajli. “Të kaltrit” kërkojnë përforcime në qendër të mbrojtjes dhe e shikojnë lojtarin kuqezi si njeriun duhur për të ofruar siguri në prapavijë.

Agjenti i Ismajlit, Serxho Mezi disa ditë më parë udhëtoi drejt Napolit, ku zhvilloi një takim në klub, raporton “Corriere dello Sport”.  Palët kanë folur për mundësinë e transferimit të 27 vjeçarit, i cili është pjesë e Empolit.

Drejtori sportiv i “të kaltërve” Mauro Meluso e njeh mirë lojtarin kuqezi, pasi ishte pikërisht ai që e transferoi te Specia në sezonin 2020/2021, kur në stol ishte Vincenco Italiano. Duket se palët kanë përparuar në bisedime.

Si qendërmbrojtës te Napoli luan kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani.  Ismajli u bë pjesë e Empolit në verën e 2021-it. Ai është kthyer në titullar të padiskutueshëm në ekip.

Në këtë sezon, futbollisti aktivizuar në 22 takime, ndërsa është ndëshkuar me 1 karton të verdhë në Serie A. Në kampionat, ai ka luajtur në total 1686 minuta.  Kartoni i lojtarit kuqezi vlerësohet rreth 3 mln euro.

Klan News