Vonesa në trajtimin parlamentar të propozimit të nivelit 3% për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme dhe mungesa e konkretizimit të tij, ka sjellë efekte tepër negative në bllokimin momental të tregut. Kështu shprehet Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë në deklaratën e fundit.  

“Gjatë 5 viteve të fundit, ashtu si pjesa tjetër e tregjeve, Shqipëria ka operuar në tregun e shitësit. Me zvarritjen e trajtimit të këtij propozimi, thellohet hendeku i pronave në shitje duke u tërhequr nga tregu deri në sqarimin përfundimtar të tij. Tatimi i të ardhurave nga shitja e pasurive të paluajtshme, “tatimi mbi fitimin kapital të realizuar” në masën 15% është provuar tashmë se ka disa efekte negative të drejtpërdrejta, në sektorin e Veprimtarive me Pasuritë e Paluajtshme i cili sot kontribuon 8-10% të GDP-së.”

Më tej Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë nënvizon se nëse miratohet tatimi në nivelin 3%, të ardhurat nga ky sektor do të rriteshin me rreth 60%.

“Mbështetur në të dhënat kombëtare të këtij sektori, vëmë re se në krahasim me vitet kur ky tatim mbahet në nivelin 15%, gjatë periudhave të lehtësirave fiskale ku norma e tatimit aplikohet jo më shumë se 3%, sektori jo vetëm që njeh rritje dhe zgjerim, shqiptarët jo vetëm që fitojnë më tepër, por dhe buxheti arkëton të ardhura më tepër, në nivelet 35-40 milionë euro. Nga krahasimi i 5 viteve te fundit, tregon se në vitet 2020-2021-2022 ku tatimi ka qenë në nivelet 3%, për buxhetin e shtetit janë realizuar mesatarisht 44 milionë euro të ardhura për çdo vit nëpërmjet këtij tatimi, pra rreth 60% me tepër në krahasim me vitin 2019 ku tatimi ka qenë 15%.”

Në Maj të këtij viti, Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti dorëzoi në Kuvend nismën ligjore që parashikon rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me 3% me vlerën e tregut, por deri më tani nuk ka asnjë reagim për këtë propozim.

Klan News