Katër astronautët e përzgjedhur për misionin Artemis II të NASA-s kanë hyrë në fazën e fundit të përgatitjeve për udhëtimin e parë me ekuipazh drejt Hënës në më shumë se pesë dekada.

Astronautët Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch, si dhe astronauti i Agjencisë Hapësinore Kanadeze, Jeremy Hansen, do të nisin nesër aventurën në kapsulën Orion, të ndërtuar për të transportuar njerëzit në hapësirë.

Misioni që do të zgjasë 10 ditë do ta dërgojë ekuipazhin në rrotullim me shpejtësi të lartë rreth Hënës dhe më pas në kthim, pa zbritur në të.

Artemis II do të jetë misioni i parë që do të dërgojë astronautë më larg Tokës sesa çdo fluturim hapësinor njerëzor i mëparshëm, duke testuar sistemet e mbështetjes së jetës, navigimit, komunikimit dhe performancës së mburojës së nxehtësisë të anijes kozmike Orion.

Udhëtimi rreth fqinjit tonë më të afërt gjithashtu do të hapë rrugën për një ulje në Hënë dhe më pas për ngritjen e një baze në të. Hëna po shihet gjithashtu si një stacion i mundshëm për të eksploruar Marsin, një tjetër plan ambicioz i NASA-s për t’u arritur deri në vitin 2030.

Programi Artemis i NASA-s ka kërkuar vite pune, ka përfshirë mijëra njerëz dhe vlerësohet të ketë kushtuar 93 miliardë dollarë deri më sot.

Misionet e para në Hënë u kryen nga SHBA, të nxitura nga gara e fortë për dominim në hapësirë me Bashkimin Sovjetik. Këtë herë konkurrentja është Kina.

Tv Klan

/tvklan.al