Katër astronautë u nisën nga Florida të mërkurën në misionin Artemis II të NASA-s, një udhëtim rreth Hënës që shënon hapin më të guximshëm të SHBA-ve deri më tani drejt kthimit të njerëzve në sipërfaqen hënore në një garë me Kinën.
Raketa Space Launch System e NASA-s, e pajisur me kapsulën e ekuipazhit Orion, u nis pak para perëndimit të diellit në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida, duke dërguar ekuipazhin e saj të parë, tre astronautë amerikanë dhe një astronaut kanadez, në orbitën e Tokës.
Ky mision pritet të jetë pikënisje për misionet e ardhshme që do të përfshijnë ndërtimin e një baze në Hënë, e cila do të përdoret për të tjera misione ambicioze rreth Marsit.
Nëse çdo gjë shkon sipas planit, ekuipazhi do të fluturojë rreth Hënës dhe do të kthehet në një ekspeditë pothuajse 10-ditore, duke testuar në maksimum anijen hapësinore dhe duke shkuar më thellë në hapësirë se kurrë më parë.
Ky mision është fluturimi i parë testues me ekuipazh në programin Artemis, pasardhësin e projektit Apollo të epokës së Luftës së Ftohtë të NASA-s, dhe misioni i parë në botë që dërgon astronautë në afërsi të Hënës, jashtë orbitës së Tokës, pas 53 vjetësh.
Ai shërben si një provë e rëndësishme për përpjekjen e NASA-s për të dërguar njerëz në sipërfaqen e Hënës në 50 vitet e fundit.
Misioni Artemis II do të dërgojë ekuipazhin prej katër personash rreth 406 mijë kilometra në hapësirë, distanca më e madhe që kanë udhëtuar ndonjëherë njerëzit.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 