NASA ka shtyrë misionin e ardhshëm të astronautëve drejt Hënës për shkak të temperaturave pranë ngrirjes që priten në vendin e nisjes në Florida.
Fluturimi i parë me ekuipazh në kuadër të programit Artemis tani është planifikuar jo më herët se 8 shkurti, dy ditë më vonë nga sa ishte parashikuar fillimisht.
Agjencia hapësinore ishte gati të zhvillonte të shtunën një test të rëndësishëm të karburantit për raketën 322 metra të lartë, por e anuloi atë të enjten në mbrëmje për shkak të të ftohtit ekstrem të parashikuar. Prova kryesore, e njohur si “dress rehearsal”, tani është planifikuar për të hënën, nëse kushtet e motit e lejojnë.
Ky ndryshim i lë NASA-s vetëm tre ditë në shkurt për të nisur katër astronautët në një fluturim rreth Hënës dhe kthim në Tokë, përpara se afati të shtyhet për në mars.
“Çdo vonesë shtesë do të sillte një shtyrje ditë për ditë”, tha NASA në një deklaratë të premten.
Zyrtarët bënë të ditur se ngrohësit po mbajnë kapsulën Orion në temperaturën e duhur mbi raketë, ndërsa sistemet e pastrimit të raketës po përshtaten për kushtet e të ftohtit.
Komandanti i misionit, Reid Wiseman, dhe ekuipazhi i tij vazhdojnë të qëndrojnë në karantinë në Hjuston, ndërsa mbërritja e tyre në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida mbetet e pasigurt.
Lisa Voiles, drejtoreshë e trajnimit, tha për CBS News se ekipet e NASA-s përgatisin skenarë të panumërt për çdo fazë të misionit, duke përfshirë probleme që variojnë nga dështime të vogla sensorësh deri te zjarre apo emergjenca të tjera serioze. Ajo vëzhgon mënyrën se si ekuipazhi reagon ndaj çdo problemi gjatë stërvitjeve brenda kapsulës.
Një nga drejtuesit e fluturimit, Judd Frieling, i cili ka mbështetur mbi 20 misione të anijeve hapësinore, do të mbikëqyrë nisjen e ekuipazhit Artemis II. Ai tha se disa nga skenarët e përdorur gjatë trajnimit janë “shumë kreativë”, por absolutisht të nevojshëm.
NASA ka vetëm disa ditë çdo muaj për të nisur misionin e parë me ekuipazh drejt Hënës pas më shumë se gjysmë shekulli. Programi Apollo u mbyll në vitin 1972 me misionin Apollo 17.
/tvklan.al












Botërori 2026 
