Pas një prezantimi maratonë për 8 javë rresht në Radio Plus 2 këngët pjesëmarrëse në festivalin “Mikrofoni i Artë” tashmë kanë mbërritur në finish. Sot në mbrëmje, në Pallatin e Kongreseve do të zhvillohet nata finale e këtij festivali i cili tashmë ka hyrë në rrugën e traditës.

Jo vetëm këngë, jo vetëm çmime, por edhe spektakël. Krahas prezantimit të 20 këngëve më të mira, të cilat kanë dalë prej një seleksionimi të gjatë, do të ketë edhe shumë të ftuar. Regjia e këtij festivali i është besuar këtë vit të mirënjohurit Bujar Kokonozi.

Fillimisht në këtë festiavl janë paraqitur 131 këngë të të gjitha rrymave muzikore nga pop-rrok, alternative, ritme latine, hip-hop, arembi etj., ndërkohë që në natën e sotme do të vijnë vetëm 20 prurjet më të mira.

Në këtë edicion paraqiten emra mjaft të njohur të këngës shqiptare, si Eranda Libohova, Mariza Ekonomi, Altin Goçi, Jonida Maliqi, Juljana Pasha etj. Këtë herë skenografia e festivalit i është besuar skenografit të njohur Bashkim Zahaj me ndriçimin dhe foninë e mjeshtrit Lulëzim Tufa, ndërkohë që transmetimi televiziv do të realizohet në bashkëpunim me stafin e Televizionit kombëtar Klan. /tvklan.al