Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca është e gatshme të mbrohet nga çdo kërcënim në hapësirë, pas raportimeve se Rusia po përgatitet të lëshojë një satelit të pajisur me armë bërthamore.

Sipas mediave gjermane, gjatë këtij muaji, vendet anëtare të NATO-s kanë shkëmbyer informacione të inteligjencës për mundësinë që Rusia ta lëshojë satelitin brenda 60 ditëve të ardhshme.

Nuk është e qartë se cili shtet i ka përgatitur raportet.

“Ne gjithmonë do të sigurohemi që të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s, dhe kjo përfshin edhe sigurinë tonë në hapësirë”, tha Rutte gjatë një konference për media në Berlin.

Ai shtoi se NATO-ja ka disa mundësi reagimi dhe se aleanca do t’i rishikojë dhe përshtatë masat e mbrojtjes dhe të parandalimit sa herë që të jetë e nevojshme.

Televizionet gjermane NDR dhe WDR, si dhe gazeta Sueddeutsche Zeitung, duke cituar burime anonime ushtarake dhe të inteligjencës gjermane, raportuan se sateliti rus, i quajtur “Sputnik-S”, është i pajisur me një kokë bërthamore.

Sipas këtyre raportimeve, ai mund të përdoret për të penguar funksionimin ose për të shkatërruar satelitë të tjerë, përfshirë ata që shërbejnë për komunikim dhe vëzhgim.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, i cili u paraqit në konferencën për media përkrah Ruttes, nuk i konfirmoi as nuk i mohoi raportimet.

Megjithatë, ai tha se ato “tregojnë nivelin e përshkallëzimit që Rusia duket se është e gatshme ta ndërmarrë”.

“Raportimet se Rusia po planifikon të vendosë armë bërthamore në hapësirë nuk janë të reja, por mbeten po aq tronditëse”, tha Merz.

Një zëdhënës i Qeverisë gjermane tha se autoritetet po i trajtojnë raportimet “shumë seriozisht”, por paralajmëroi kundër shqetësimit të tepruar për rreziqe hipotetike.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk i kishte parë raportimet e fundit, por se pretendimet e bazuara në burime të paidentifikuara “vështirë se meritojnë të merren seriozisht”.

Edhe Ambasada ruse në Berlin i cilësoi raportimet si “akuza të pabazuara” dhe pjesë të një “fushate propagandistike”.

Drejtori i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, Josef Aschbacher, tha se vendosja e armëve bërthamore në hapësirë do të përbënte “skenarin më të keq të mundshëm”.

Rusia është nënshkruese e Traktatit të vitit 1967 për Hapësirën e Jashtme, i cili ndalon vendosjen e armëve të shkatërrimit në masë në orbitën e Tokës.

Megjithatë, shtete të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, kanë zhvilluar ose planifikojnë të zhvillojnë kapacitete të tjera ushtarake në hapësirë, përfshirë sisteme që mund të godasin satelitët kundërshtarë.

Satelitët luajnë rol kyç në komunikimet ushtarake, mbikëqyrjen dhe navigimin.

Në vitin 2024, Shtetet e Bashkuara pretenduan se Rusia po zhvillonte një armë kundër satelitëve, të pajisur me kokë bërthamore, që do të vendosej në hapësirë.

Moska i mohoi akuzat.

“Qëndrimi ynë është i qartë dhe transparent. Ne gjithmonë kemi qenë kategorikisht kundër vendosjes së armëve bërthamore në hapësirë dhe vazhdojmë të jemi kundër”, deklaroi atëkohë presidenti rus, Vladimir Putin.

Në shtator të këtij viti, sekretari amerikan i Forcave Ajrore, Troy Meink, tha se SHBA-ja ka armë për kontrollin e hapësirës, tashmë të vendosura në orbitë, por nuk dha hollësi.

Pas kësaj deklarate, Kremlini përsëriti qëndrimin se hapësira “duhet të jetë e lirë nga çdo armë”./REL

/tvklan.al