Ka përfunduar historia e dashurisë mes aktores së famshme italiane Monica Bellucci dhe regjisorit amerikan Tim Burton. Çifti ka bërë të ditur ndarjen e tyre përmes një deklarate të publikuar nga agjencia e lajmeve AFP.

“Me shumë respekt dhe dashuri të ndërsjellë, Monica Bellucci dhe Tim Burton kanë vendosur të ndahen“, thuhet në deklaratën e përbashkët të dy artistëve.

Bellucci dhe Burton ishin bashkë që prej vitit 2023. Ata u fotografuan për herë të parë dorë për dore në Paris dhe më pas u shfaqën së bashku në disa evente publike: në Festën e Romës ku Bellucci ishte e ftuar, dhe në ndarjen e çmimeve Emmy, ku Burton ishte i nominuar për serialin Wednesday.

Ndër daljet e tyre të fundit publike përmendim edhe pjesëmarrjen në Giffoni Film Festival në korrik, ku Bellucci shoqëroi Burton-in për promovimin e sezonit të ri të serialit.

“Ajo që mund të them është se jam e lumtur që kam takuar një burrë. Një burrë me një shpirt të mrekullueshëm. Dhe gjithashtu një regjisor që e vlerësoj jashtëzakonisht shumë”, kishte deklaruar aktorja asokohe. Nga ana tjetër, Burton është treguar më i rezervuar duke mos bërë deklarata publike, por i kishte kushtuar partneres së tij një set fotografik në Parkun e Përbindëshave në Bomarzo, me rastin e 60-vjetorit të saj.

Dyshja punuan së bashku në filmin Beetlejuice Beetlejuice, ku Bellucci luan rolin e Dolores, bashkëshorten e personazhit të luajtur nga Michael Keaton, e cila rikthehet nga bota e të vdekurve pasi trupi i saj i copëtuar rimblidhet përmes një shoku elektrik dhe një makinerie.

Filmi, që Burton e konsideron si një homazh për kinemanë horror italiane, ka pasur sukses të madh në Amerikën e Veriut, duke arkëtuar gati 300 milionë dollarë.

Sjellim ndërmend se Monica Bellucci, 60 vjeçe, ka pasur një lidhje të gjatë me aktorin Vincent Cassel, me të cilin ka dy vajza: Deva dhe Léonie. Ndërkohë, Tim Burton, 67 vjeç, ka qenë për një kohë të gjatë në një lidhje me aktoren Helena Bonham Carter, me të cilën ka dy fëmijë: Billy Ray dhe Nell.

/tvklan.al