Tenori i njohur dhe me vlera të jashtëzakonshme vokale Gaqo Çako është ndarë nga jeta mbrëmjen e së mërkurës. Simboli historik i Teatrit të Operas dhe Baletit shqiptar ndërroi jetë në banesën e tij në moshën 83-vjeçare.

Me një karrierë të pasur operistike, që nga viti 1961, Çako ka qenë tenori kryesor i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës për tri dekada me radhë.

Homazhet do të bëhen në Muzeun Historik Kombëtar, paraditen e së enjte.

Njoftimi për ndarjen nga jeta të Artistit të Popullit, Gaqo Çako është bërë nga TKOB dhe në rrjetin social Facebook.

Lamtumirë simboli historik i operas dhe muzikës shqiptare, “Nderi i Kombit” – Gaqo Cako. Me hidhërim të thellë bëjmë me dije se pak minuta më parë është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare tenori virtuoz, simboli historik i muzikës operistike shqiptare, “Nderi i Kombit” – Gaqo Cako. Mjeshtri i madh u shua në shtepine e tij në Tiranë. Ngushellime familjes, miqve dhe kolegëve të Gaqo Çakos – “Nderit të Kombit”. 

Kush ishte Gaqo Çako

Gaqo Çako ka lindi më 24 Janar 1935, dhe mban titullin Artist i Popullit.

Tenori legjendar, Gaqo Çako, Artist i Popullit, ishte i rreshtuar në emrat e mëdhenj të Panteonit të muzikës shqiptare si Ramiz Kovaçi, Mentor Xhemali, etj. Midis viteve 1957 dhe 1961 ai studioi në konservatorin “Çajkovski” të Moskës nën drejtimin e pedagoges Anna Soloviova. Pas kthimit në Shqipëri më 1961 ai u emërua tenor i përhershëm i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, duke u bërë kështu tenori kryesor për tri dekada me radhë.

Përvoja dhe karriera e tij mjaft e pasur në operat “Traviata”, “Bohema”, “Rigoleto”, “Norma”, etj, si dhe operat shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës e “Skënderbeu” i Abdulla Grimcit, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit, etj, e bënë atë me një karrierë të shkëlqyer. Mjaft i njohur edhe në skenat italiane, ku ai ka mbaruar konservatorin e Santa Cecillias.

Zëri i tij ishte kthyer në objekt kënaqësie kudo që ai dëgjohej e shfaqej, në opera, në televizion, në radio, në salla të mëdha a të vogla koncertesh. Përfshirja e tij në të gjitha llojet e muzikës vokale kishte si qëllim të vetëm t’i kënaqë dëgjuesit me pjesët që ai këndonte. Edhe pse vlerën më të madhe ai e pati në interpretimet e roleve operistike, ai u popullarizua nëpërmjet këngës, veçanërisht atyre të Festivaleve të Radios.

/tvklan.al