Ish-deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani 44 vjeç u nda nga jeta tragjikisht pas një ataku kardiak.

Bogdani u dërgua në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në gjendje të rëndë, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte pavarësisht përpjekjeve të mjekëve. Grupi parlamentar demokrat sapo u njoh me këtë ngjarje anulloi mbledhjen ndërsa deputetet Noka, Vokshi dhe Çupi shkuan në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Edhe Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ndërpreu mbledhjen për mocionin nga 1/10 e deputetëve opozitare për dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për mbarimit të mandatit të deputet Vullnet Sinaj.

Pas debateve Gazment Bardhi dha lajmin për ndarjen nga jeta të ish-deputetit të PD, Gert Bogdani si pasojë e një arresti kardiak duke kërkuar shtyrjen e mbledhjes.

Gazment Bardhi, Kryetar i grupit PD:Sapo është konfirmuar që një ish-koleg i joni, kolegu Gert Bogdani sapo ka ndërruar jetë dhe ky lajm është besoj tronditës dhe shumë i rëndë për ne kolegët e tij në Partinë Demokratike, besoj për kolegët e tij në Kuvendin e Shqipërisë dhe unë kërkoj ndërprerjen e mbledhjes dhe shtyrjen e saj për një moment tjetër. Kërkoj mirëkuptimin tuaj!

Elisa Spiropali, Kryetare e Kuvendit: Të prehet në paqe kolegu ynë, i riu Gert Bogdani. Ngushëllime të përzemërta familjes së tij! U prehtë në paqe dhe i ndritt shpirti i tij.

Pas këtij lajmi tragjik, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali mbylli punimet e mbledhjes.

Ngushëllime ka shprehur edhe kreu demokrat Sali Berisha që e ndërpreu me këtë rast konferencën e shtypit dhe mbajti një minutë zi.

Sali Berisha: Ka lënë vetëm përshtypje pozitive tek çdo qytetar, në çdo takim, në çdo komunikim, ky është Gerti Bogdani. Të ngrihemi dhe të nderojmë me 1 minutë heshtje kujtimin e ndritur të këtij personaliteti të shquar, të ri të PD-së.

Një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jetë të ish-deputetit demokrat Gerti Bogdani ka dhënë edhe kryeministri Edi Rama.

Gerti Bogdani lindi më 7 Korrik 1980 në Tiranë dhe kreu studimet e larta në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai e nisi karrierën politike në vitin 2007 duke u angazhuar pranë Partisë Demokratike dhe në këtë vit u zgjodh kryetar i Njësisë Bashkiake Nr.10 në Tiranë.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, Gerti Bogdani u zgjodh deputet. Më pas ka qenë kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Klan News