Ndërron jetë në moshën 89-vjeçare ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi. I njohur si “profesori” në qarqet socialiste, ai ishte një nga figurat më të njohura të politikës dhe mendimit intelektual në Shqipërinë e tranzicionit. Ai ishte një nga zërat që shpesh kërkonte reformim dhe reflektim brenda së majtës shqiptare.

Lindi në vitin 1936 në Korçë. Ai ndoqi studimet e larta në Universitetin e Shën Petersburgut, ku mori titullin Doktor i Shkencave në letërsi. U formua si studiues i filozofisë dhe për shumë vite punoi në universitete dhe institucione shkencore. Gjatë periudhës së regjimit të Enver Hoxhës, ishte pjesë e strukturave akademike dhe ideologjike të kohës.

Pas viteve ’90, ai u zgjodh deputet në parlamentin e parë pluralist dhe mori pjesë në transformimin e PPSH në Partinë Socialiste të Shqipërisë. Si nënkryetar i Partisë Socialiste në opozitë, ai udhëhoqi disa beteja, ndër to edhe kërkesa për lirimin e Fatos Nanos nga burgu.

Njihet si një ndër deputetët më jetëgjatë në radhët e socialistëve, ndërsa këtë angazhim në vitet 2002-2005 e përmbylli duke drejtuar Kuvendin e Shqipërisë.

Pas largimit të socialistëve dhe Fatos Nanos nga pushteti, ai u tërhoq gradualisht nga politika aktive dhe u angazhua në shkrime, analiza dhe reflektime mbi demokracinë dhe tranzicionin shqiptar.

Ai u dekorua me titullin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga ish-presidenti Alfred Moisiu.

/tvklan.al