Çmimi Nobel në Kimi është marrë nga dy amerikanët David Baker e John M. Jumper si dhe nga britaniku Demis Hassabis. Këtë vit Nobeli jepet për shpikjen e proteinave të reja, si dhe parashikimin e strukturave të proteinave ku u përdor edhe Inteligjenca Artificiale.

Sipas akademisë suedeze, një nga zbulimet ka të bëjë me ndërtimin e proteinave. Tjetri përmbush një ëndërr 50-vjeçare: parashikimin e strukturave proteinike nga sekuencat e tyre aminoacide. Të dyja këto zbulime hapin mundësi të mëdha.

Kimia është Nobeli i tretë që ndahet, pasi Çmimi Nobel në Fizikë këtë vit shkoi për amerikanin John Hopfield dhe britanikun Geoffrey Hinton për shpikjen e rrjeteve nervore artificiale që mundësojnë mësimin e makinerive, ndërsa çmimi Nobel në Mjekësi u mor nga dy biologët amerikanë Victor Ambros dhe Gary Ruvkun për zbulimin e mikroARN-se dhe rolin e saj në rregullimin e gjeneve.

Klan News