Sporti shqiptar është në zi pas ndarjes nga jeta të Kreshnik Tartarit, një prej figurave më të shquara në historinë e volejbollit shqiptar.

Tartari u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme si sportist dhe trajner.

Karrierën e tij sportive e ndërtoi me fanellën e Dinamos dhe të ekipit kombëtar, ku fitoi tituj kampionë dhe trofe të shumtë, duke u renditur ndër volejbollistët më të spikatur të brezit të tij.

Megjithatë, emri i Kreshnik Tartarit do të mbetet i paharruar veçanërisht për sukseset e arritura në rolin e trajnerit.

Ai konsiderohet ndër teknikët më të suksesshëm që ka njohur ndonjëherë volejbolli shqiptar. Një nga kapitujt më të lavdishëm të karrierës së tij lidhet me drejtimin e ekipit të femrave të Dinamos.

Nën drejtimin e Tartarit, skuadra nisi në vitin 1974 një epokë dominimi të rrallë, duke fituar plot 20 tituj kampionë dhe duke u shndërruar në një nga ekipet më të suksesshme në historinë e sportit shqiptar.

Sukseset nuk munguan as në arenën ndërkombëtare. Dinamo e drejtuar prej tij arriti rezultate historike në kompeticionet evropiane, duke siguruar një vend mes katër skuadrave më të mira të kontinentit, një arritje që mbetet ndër më të mëdhatë e sporteve ekipore shqiptare.

Edhe në krye të ekipit kombëtar, Kreshnik Tartari la gjurmë të pashlyeshme. Nën drejtimin e tij, Shqipëria arriti të fitonte titullin kampion në Lojërat Mesdhetare, një sukses që e vendosi volejbollin shqiptar në hartën e sportit ndërkombëtar.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe promovimin e sportit shqiptar, Tartari u nderua me një sërë vlerësimesh dhe dekoratash të rëndësishme, mes të cilave edhe titulli prestigjioz “Mjeshtër i Madh”.

Me largimin e Kreshnik Tartarit, sporti shqiptar humbet një prej personaliteteve të tij më të mëdha, ndërsa breza të tërë sportistësh dhe trajnerësh do ta kujtojnë si një figurë frymëzuese, që i kushtoi jetën volejbollit dhe suksesit të tij.

Klan News

/tvklan.al