Një burrë që i vuri flakën vetes jashtë gjykatës në Manhattan ka humbur jetën në spital. Maxëell Azzarello 37 vjeç u dërgua në spital në gjendje kritike, ku më vonë humbi jetën. Trump ishte në ndërtesë ku po merrte pjesë në përzgjedhjen e jurisë, por më pas u largua pas incidentit.

Autoritetet bëjnë të ditur se Azzarello u pa duke lëvizur në një park përpara se të nxirrte nga qesja lëndën me të cilën do t’i vinte flakën vetes. Ai mbante gjithashtu pankarta me slogane miliarderët e këqij, por nuk specifikonte drejtpërdrejtë Trump.

Hetuesit kanë bërë të ditur se kishin marrë një telefonatë në momentin që ish-presidenti amerikan ishte i pranishëm në gjykatë. Maxwell Azzarello nuk kishte precedentë penalë në Nju Jork dhe familja e tij në Florida nuk ishte në dijeni se ai kishte udhëtuar në qytet.

Përzgjedhja e jurisë për gjyqin përfundoi,ku 12 anëtarët e jurisë, shtatë burra dhe pesë gra do të shqyrtojnë provat, në gjyqin e parë penal për një ish-president i SHBA. Prokurorët synojnë të thërrasin të paktën 20 dëshmitarë, sipas avokates mbrojtëse të Trump, Susan Necheles.

Trump akuzohet se ka blerë heshtjen e aktores së filmave për të rritur kundrejt një pagese 130,000 dollarësh që avokati i tij i atëhershëm, Michael Cohen, i kishte dhënë Stormy Daniels, përpara zgjedhjeve të 2016, për një takim seksual që ajo thotë se kishin një dekadë më parë.

Trump është deklaruar i pafajshëm për 34 akuza për falsifikimin e të dhënave të biznesit dhe mohon çdo takim të tillë me Daniels, dhe i ka cilësuar akuzat si gjueti shtrigash.

Klan News