Policia e Elbasanit ka publikuar masat për ndeshjen Shqipëri-Lichtenstein që do të zhvillohet më 2 shtator në orën 18:00 në stadiumin “Elbasan Arena”.

Nga masat e marra të policisë, do të bllokohen disa rrugë në qytetin e Elbasanit ndërsa në zona të tjera nuk do të lejohet parkimi.

Konkretisht:

Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth dhe përballë stadiumit.

Nuk do të lejohet parkimi i mjeteve nga “Kryqëzimi i tapetave” deri tek Kryqëzimi i “Ish-konservimit”

Nga Kryqëzimi i rrugës “Kamber Sejdini” deri në dalje në unazë në anën veriore të stadiumit.

Në orën 12:00 nuk do të lejohet parkimi i mjeteve në Bulevardin “Aqif Pasha” nga Stadiumi deri tek Kryqëzimi I Dinamos.

Vendparkimet e mjeteve të tifozërisë vendase do të jeëë :

Sheshi tek Kryqëzimi i Zaranikës , Pallati i Sportit dhe në vende të mundshme të lejuara për parkime.

Lëvizja e mjeteve të ekipit vendas dhe të huaj do të jetë Tiranë – Tunel – Bradashesh – Lulet- Rrethrrotullimi i Postës – Rrethi I Bashkisë – Kryqëzimi I Bulevardit me rrugën “Kamber Sejdini” – Stadium dhe kthim.

Hyrja e sportëdashësve do të fillojë tre orë para ndeshjes, me qëllim shmangien e radhëve të gjata në hyrje për në stadium, thotë policia. Nuk do te lejohet marrja e femijëve të mitur pa u pajisur me biletë. Të gjithë sportëdashesit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, krahas biletës duhet të kenë me vete edhe kartë identiteti.

Në hyrje të stadiumit do të kontrollohen të gjithë dhe nuk do të lejohen të hyjnë në stadium ata persona që do tentojnë të mbajnë me vete:

a) sende të forta,

b) shishe (të cfarëdolloji)

c) fishekzjarre

d) monedha apo metale (të cfarëdolloji)

e) çelësa të ndryshëm

Të gjitha lokalet që ndodhen përreth Stadiumit, nga ora 12:00 dhe deri në përfundim të ndeshjes do të jenë të mbyllura.

Drejtoria Policisë Elbasan i kërkon qytetarëve që të minimizojnë më datë 2 Shtator 2017 lëvizjen e tyre me automjet brenda qytetit të Elbasanit, c’ka do të sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin sa më normal të këtij aktiviteti.