Në emisionin e parë të “Kampionët e Botës” në Tv Klan, u analizua ndeshja hapëse e Botërorit, ku Meksika fitoi 2-0 ndaj Afrikës së Jugut.

Trajneri Arjan Peço ishte pa mëshirë në kritikat e tij, duke thënë se ishte një sfidë e dobët.

“Ishte një ndeshje e dobët për të thënë të drejtën. Meksika bëri detyrën, por ndaj një kundërshtari të dobët si Afrika e Jugut.

Te goli i parë ishte gabim i rëndë strategjik. E bënë disa herë edhe në pjesën e dytë, me lojtarin 6. Insistuan te kjo mënyrë loje dhe gabuan totalisht”, theksoi Peço.

Në të njëjtën linjë ishte edhe trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, i cili u shpreh se te goli i parë i pësuar nga afrikanët ishte strategji e gabuar nga trajneri.

“Ishte një gabim në rinisje nga Afrika te goli i parë. Mendoj se ishte strategji e gabuar e trajnerit. Ishte një lojtar 6 shumë i rëndë. Ishte një gol me gabim strategjik tek Afrika e Jugut. Meksikën e pashë një ekip të gjatë. Afrika i krijoi disa raste, imagjino çfarë mund të bëjnë Çekia dhe Koreja e Jugut”, tha Bushi.

Nuk i kurseu kritikat as Elseid Hysaj, i cili deklaroi se ishte një ndeshje shumë e lodhur për tu ndjekur.

“Bashkohem me mendimet më sipër. Ishte një ndeshje e lodhur për ta shikuar. Ndeshje shumë e ngadaltë”, deklaroi Hysaj.  

/tvklan.al