Atmosfera festive në qytetin e Lezhës ka marrë jetë me ndriçimet, dekorimet dhe aktivitetet që kanë mbushur rrugët kryesore.
Pema e Krishtlindjes është vendosur në sheshin qendrorë, ndërsa fasadat e ndërtesave janë zbukuruar me drita shumëngjyrëshe, duke krijuar një ambient të ngrohtë dhe mikpritës.
Bashkia e Lezhës ka organizuar disa aktivitete për të sjellë më shumë gjallëri dhe bashkimin e komuniteti sidomos të fëmijëve në prag të ndërrimit të viteve.
Shkodra, një nga qytetet më historike dhe kulturore të Shqipërisë, është zhytur në një atmosferë festive në prag të ndërrimit të viteve. Dritat e shumta e bëjnë qytetin magjik.
Pedonalia “Kol Idromeno”është kthyer në epiqendrën e festimeve, ku bashkia organizon koncerte live dhe aktivitete të shumta për fëmijë. Muzika, dritat dhe zbukurimet e pemës së madhe të Vitit të Ri e bëjnë qytetin të rrezatojë gëzim dhe festë.
Edhe Elbasani është përfshirë nga atmosfera e festave të fundvitit.
Prej ditësh, ndërmarrja e shërbimeve pranë bashkisë ka zbukuruar rrugët, sheshet dhe kalanë e qytetit, duke i dhënë një pamje festive që ndihet veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes, kur dritat shumëngjyrëshe ndriçojnë çdo cep.
Paralelisht me dekorimet, kanë nisur edhe aktivitetet festive, me fokus të veçantë te fëmijët. Në qendër të Elbasanit janë vendosur shtëpiza festive, ku qytetarët ndalojnë për të shijuar atmosferën e fundvitit.
Manteli i festave dhe dritat shumëngjyrëshe kanë mbërthyer qytetin bregdetar të Durrësit. Sheshi qendror para Bashkisë është zbukuruar me një pemë të madhe Krishtlindjesh dhe dekorime shumëngjyrëshe që i japin qytetit pamje magjike.
Koncerte me artistë vendas, tregje artizanale dhe kënde argëtimi për fëmijë kanë sjellë gjallëri, ndërsa qytetarët dhe turistët shijojnë atmosferën festive pranë detit. Atmosfera e festave të fundvitit ka përfshirë qytetin e Gjirokastrës, duke sjellë gjallëri dhe ngjyra në çdo cep.
Zbukurimet dhe dritat e bëjnë kalanë të dukët edhe më madhështorë gjatë natës. Aktivitete të shumta janë organizuar për fëmijë dhe të rritur, me lojëra, surpriza dhe hapësira të dedikuara për argëtim familjar.
Një nga atraksionet kryesore është Fshati i Krishtlindjeve, i cili ka tërhequr veçanërisht fëmijët dhe familjet, duke krijuar një ambient magjik dhe plot dritë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
