05 nëntor 2026 – Në 30 vite “Opinion”, nuk ishte parë e nevojshme në asnjë emision “ushtrimi i autoritetit policor”. Këtë mbrëmje, gazetari dhe moderatori Blendi Fevziu e çeli prezantimin me uniformë policore.

Kjo simbolikë i atribuohet gjobës që Autoriteti i Medias Audiovizuale (AMA), i ka vendosur TV Klan për emisionin e datës 22 tetor të “Opinion” për “përmbajtje të gjuhës së papërshtatshme”.

Më konkretisht, bëhet fjalë për një sekuencë, kur analisti Armand Shkullaku ka kritikuar kryeministrin Edi Rama.

“Unë nuk kam asnjë shqetësim për gjobën apo për dënimin e saj financiar. Unë nuk po ankimoj gjobën. Unë nuk po ankohem për gjobën. Unë po ankohem që mbas 30 vjetësh në këtë studio dhe mbas 36 vitesh si gazetar i shtypit të lirë shqiptar që ditën e tij të parë në 5 janar të vitit 1991, veshjen time normale duan ta kthejnë në veshjen e një polici të AMA-s.  

Unë nuk duhet të jem më gazetari që drejton një debat midis dy palëve të balancuara ose mbi një temë që ka këndvështrime të ndryshme, por duhet të jem polici që qëndroj këtu për të certifikuar dhe çekuar çdo fjalë që thotë çdo i ftuar për ta qortuar atë nëse është e papërshtatshme.  

Insistoj edhe njëherë, shqetësimi im kryesor është parimi. Çfarë do të thotë që unë të gjykoj kush është e përshtatshme dhe e papërshtatshme? Kush jam unë që të kem të drejtën të gjykoj fjalën e të ftuarve këtu, një pjesë e të cilëve mund të jenë njerëz në profesione shumë herë më të përgatitur se unë në profesionet e tyre apo në njohjen e gjërave dhe unë t’ju them është e përshtatshme apo e papërshtatshme?

Kush më bën mua të jem zoti për të detyruar të tjerët të kthejnë mbrapsht fjalët apo qëndrimet e tyre?  Këtu, natyrisht që unë nuk përjashtoj faktin kur bëhet fjalë për dhunë, për diskriminim, për fyerjen ndaj personave të tjerë, flas kryesisht në bazë të diskriminimit apo bullizimit. Por që unë të censuroj mendimet e të tjerëve dhe të kthehem në një polic të AMA-s këtu në këtë studio, nuk do ta bëja kurrë. Kështu që nuk është çështje as ankimimi, as financiare, as e gjykatës apo e bordit të AMA-s.

Është një çështje e një parimi që unë, dhe po insistoj edhe njëherë këtë, të insistojë dhe sa të dojë AMA, ta mbyllë… ta mbyllë me gjoba apo do emisionin, unë nuk kam për të hequr dorë kurrë.  Çdo njeri në këtë studio, që ditën e parë, në datën 31 gusht të vitit 1997, ka thënë atë që ka menduar. Unë jam munduar t’i bëj oponencë sipas bindjes time, por kurrë nuk kam qenë një polic dhe nuk kam për t’u bërë kurrë një polic i AMA-s. Nuk e kam me policinë e shtetit këtu, e kam me policinë e AMA-s. Kështu që sa unë të heq këtë uniformë të policit që s’do të më shihni të veshur kurrë dhe e kisha vetëm sot, të lutem regjia të japë pak materialet filmike që na me futen në atmosferën e famshme të kohës së dashurisë së Partisë Socialiste”, tha Fevziu.