Dhjetë vite pas reformës në drejtësi që forcoi gjyqësorin, për kryeministrin Edi Rama, ka ardhur momenti për të ndërmarr masa për ruajtjen e të drejtave të njeriut.
Me këtë qasje, ai prezantoi ndryshimet kryesore të propozuara në Draftin e Kodit të ri Penal, i hedhur këtë të mërkurë për konsultim publik.
“Duam ti japim më shumë ekuilibër peshores së drejtësisë. Në mënyrë që pushteti gjyqësor të mos bëj ligjin mbi drejtësinë, por drejtësia të jetë fuqia e barazisë së të gjithëve para ligjit”, tha Rama.
Drafti adreson disa çështje, më kryesoren atë të masës së sigurisë “Arrest në burg”.
“Gjykata do të duhet të nis nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme. Për veprat me dënim maksimal deri në tre vjet, si rregull, nuk do të caktohen më masa shtrënguese. Për veprat me dënim maksimal nën pesë vjet nuk do të caktohet më arrest në burg. Natyra e rëndë e veprës, e marrë më vete, nuk do të mjaftojë më”, tha Rama.
Ndryshimet i japin rol më aktiv avokatit.
“Avokati nuk mund të jetë dekor në sallë dhe spektator gjatë hetimit. Ai duhet të ketë të drejtë të kryejë hetimet e veta, të marrë deklarime, të kërkojë dokumente, të kryejë verifikime teknike dhe të angazhojë ekspertë. Materialet e mbledhura nga avokati do t’i paraqiten drejtpërdrejt gjyqtarit dhe do të vlerësohen sipas të njëjtave kritere ligjshmërie dhe rëndësie si materialet e prokurorisë”, tha Rama.
Përcaktohen rregulla të reja edhe për kohën e nisjes së një hetimi apo mënyrën e marrjes në pyetje.
“Nuk mund të thirret dikush si person në dijeni dhe të trajtohet në fakt si i dyshuar, pa avokat dhe pa garanci. Kushdo që thirret në Prokurori ose në Polici, edhe si person në dijeni, do ta ketë të shkruar në fletën e thirrjes të drejtën për t’u paraqitur me avokat. Personi ka të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar një procedim dhe t’i kërkojë gjykatës verifikimin e datës”, tha Rama.
Marrja e të dhënave nga telefonat do të bëhet vetëm brenda objektit të hetimit dhe më kontroll gjyqësor.
“Gjyqi në pazar përpara gjyqit në sallë nuk është drejtësi. Do të ndalohet publikimi i përmbajtjes së përgjimeve jashtë pjesës që citohet në arsyetimin e një vendimi, i të dhënave identifikuese të viktimave pa pëlqimin e tyre, i pamjeve të personave nën masa shtrëngimi fizik dhe i vendimeve për masat e sigurimit përtej kufijve të përcaktuar nga ligji. Sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më në asnjë mënyrë, një leje e pakufishme për të lexuar dhe parë gjithçka që arkivi i saj përmban. Policia dhe prokuroria mund ta sekuestrojnë pajisjen, nuk diskutohet, por për ta hapur, kopjuar ose përpunuar përmbajtjen e telefonit duhet autorizim paraprak i gjykatës”, tha Rama.
Në mbyllje të fjalës së tij, Rama tha se kjo paketë ndryshimesh nuk i heq prokurorisë asnjë kompetencë për të përgjuar, kontrolluar, sekuestruar, hetuar pasurinë apo bashkëpunuar ndërkombëtarisht. Ajo ndryshon mënyrën se si ushtrohen këto kompetenca.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 