Ceremonia e betimit vetëm para Presidentit

Si pjesë e betejës së nisur nga maxhoranca për të luftuar gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, Komisioni i Ligjeve ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Statusin e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve, duke ndryshuar afatet që kërkohen për nisjen e pezullimit të atyre që konstatohen në shkelje të rënda.

Po ashtu, Komisioni i Ligjeve miratoi dhe nismën e 3 deputetëve për një mekanizëm zhbllokues për rastet e ngërçeve, siç ishte ai për betimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, apo institucioneve të reja.

Sa i takon Kushtetueses, në rast se kreu i shtetit nuk respekton afatin 10 ditor për organizimin e kësaj ceremonia, atëherë legalizohet betimi me shkrim.

Por shumica ka hequr dorë nga propozimi për t’u njohur betimi me shkrim, për çdo gjyqtar që nuk është thirrur deri më tani për betim nga kreu shtetit. Duke hequr dorë në këtë mënyrë dhe nga njohja e betimit të Arta Vorpsit, si anëtare e Gjykatës Kushtetuese përpara një noteri, pas refuzimit të Ilir Metës për ta thirrur të betohej në Presidencë.

Tv Klan