Ekspozita “N’mug”, e piktorit Muhamed Malilaj, u çel në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës, duke sjellë për publikun mbi 40 punime të mbushura me ndjesi personale. Frymëzuar nga poezia e Lasgush Poradecit, ekspozita ndërthur elementë lirikë dhe grafikë.

Një vend të veçantë zë cikli i grafikave të vitit 1990, i cili rikthen në vëmendje periudhën e ndërrimit të sistemit. Përmes këtyre punimeve pasqyrohet edhe eksodi i shqiptarëve, i cilësuar si “biblik”. Malilaj e konsideron këtë cikël si një rrëfim historik të kohës së demokracisë.

Ekspozita vjen si një dialog i heshtur midis dritës dhe hijes, që fton dashamirësit e artit të përjetojnë emocione, por edhe të ndalen e të reflektojnë. Që në hapje, ekspozita tërhoqi vëmendjen, ku nuk munguan turistët e huaj, por edhe shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, duke e vlerësuar këtë “takim” me historinë e Shqipërisë.

“E dashurojmë këtë qytet. Është i mrekullueshëm. Pikturat janë shumë të bukura dhe përmes tyre lexuam një pjesë të historisë suaj. Shumë mbresëlënëse, e shijuam këtë vizitë. Unë jam nga Ukraina, bashkëshorti im nga Turqia dhe jetojmë në Angli. Do të shkojmë edhe në Tiranë. Shqipëria është një vend i dashur. E dua Shqipërinë dhe shqiptarët!”

“N’mug” do të qëndrojë e hapur për të gjithë artdashësit deri më 24 prill në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës.

Klan News

/tvklan.al