Nëse punëson një pastruese në Tiranë, tarifat për orë vijojnë të mbeten të larta, krahasuar me Greqinë, dhe arrijnë në nivele të ngjashme me Italinë.
Një pastruese në Tiranë, nëse punon me orë dhe jo me kontratë të qëndrueshme, paguhet nga 800 deri në 1,000 lekë për orë. Pagesat për orë të punonjëseve të pastrimit janë në nivele të ngjashme me vendet europiane.
Sipas të dhënave të “Economic Research Institute”, në disa shtete të Europës pagesa për pastruese në Itali dhe Spanjë është rreth 10 euro/orë, në Gjermani dhe Holandë 15 euro/orë, në Francë 11 euro/orë dhe në Greqi, 7 deri në 8 euro/orë.
Në Nju Jork, pagesa arrin 18 USD/orë, ndërsa në Boston deri në 19 USD/orë.
Pagesat mujore për punonjëse pastrimi për ambiente shtëpie në Tiranë, për 6 deri në 8 orë në ditë, variojnë nga 70 mijë deri në 120 mijë lekë në muaj, kjo është tarifa maksimale për ambiente banimi me sipërfaqe të madhe.
Pavarësisht pagesave të larta, tregu vuan nga mungesa e theksuar e fuqisë punëtore, ndërsa kërkesa sipas operatorëve të ndërmjetësimit për punësim dhe të pastrimit është luhatur.
Agjencitë e ndërmjetësimit pohojnë se kërkesa për punësim të grave në pozicione pune, si sanitare në shtëpi me orë apo amvisa (që kujdesen për mbarëvajtjen e punëve të shtëpisë dhe për gatimin) edhe pse rezulton më e lartë sesa kërkesa për dado fëmijësh apo kujdestarë të moshuarish, nuk arrin të konkretizohet, pasi shumë klientë stepen nga pagesat e larta dhe orientohen drejt agjencive të pastrimit.
“Tarifat që arrijnë deri në 1,000 lekë për orë janë faktor pengues për punësimet.
Aktualisht ka kërkesa të shumta nga familjet në Tiranë për punësimin e grave në pozicione sanitare apo amvise për 2 deri në 5 orë pune, me kohëzgjatje 2 deri në 3 ditë në javë. Por për shkak të tarifave të larta, këto kërkesa shpesh nuk realizohen.

Kryesisht parapëlqehet marrja e shërbimit nga kompanitë e pastrimit, pasi puna është me eficiente, pasi dërgohen 2 apo 3 pastruese në varësi të madhësisë së shtëpisë dhe pagesa është më e leverdishme sesa për punësime individuale”, nënvizon Albana Uku, drejtuese e një prej Agjencive të Ndërmjetësimit për punonjëse.
Vetë kompanitë e pastrimit pohojnë se kërkesa për shërbime pastrimi është me luhatje.
Fiqiri Allmuça, nga kompania e pastrimit “Silvio”, e specializuar për ofrime shërbimesh pastrimi të përditshme në biznese dhe të veçantë në familje, tha për “Monitor” se kërkesa për sanitare në shtëpi, qoftë me orë apo me kohë të plotë, është e lartë, por problemi mbetet oferta. Sipas tij, numri i grave që punojnë si sanitare në ambiente shtëpie është shumë i ulët. Shkaku kryesor mbetet emigracioni, jo për motive punësimi, por kryesisht për bashkime familjare.
Ndërsa, Merita Merkaj drejtuese e kompanisë “Mario Professional Cleaning” thotë se kërkesa për pastrime nga familjet është në rënie. E pranishme prej 20 vitesh në tregun e pastrimit, zonja Merkaj shpjegon se tkurrja e kërkesës po ndikohet nga shtimi i kompanive që operojnë në informalitet./Monitor.al/












Botërori 2026 
