Rama: E njëjta gjë vlen për mësuesit dhe administratën

Asnjë mësues, student apo pedagog nuk do të mund të hyjë në auditorë nëse nuk është i vaksinuar. Paralajmërimin e bëri kryeministri Edi Rama, që tha se vaksinimi i detyruar do të shtrihet edhe në administratën shtetërore.

“Nëse Shqipëria sot ka stabilitet dhe është shumë më mirë se sa shumëkush tjetër rreth e rrotull, kjo vjen si rezultat i vaksinimit. Në auditore do të hyjnë ata që vaksinohen. Sepse nuk ka mundësi që pjesa që është e vetëdijshme që do të mbrohet, të kërcënohet nga ata që jetojnë me teoritë e konspiracionit, apo që jetojnë me frikëra që janë komplet antishkencore, të pabazuara, të pajustifikueshme. Natyrisht që askush nuk i merr dot me forcë dhe s’ka ndërmend t’i marrë me forcë askund, por në mjedise ku janë të tjerët je i detyruar të vaksinohesh. E njëjta gjë vlen për mësuesit, e njëjta gjë vlen për administratën. Aty ku janë mjedise publike që mblidhen shumë njerëz, ke detyrimin të vaksinohesh për të tjerët“.

Duke iu referuar vaksinimit të detyruar, ekspertët e Institutit të Shëndetit cilësuan se masat e detyrueshme janë të domosdoshme dhe në të mirë të shëndetit publik.

“Absolutisht po. Edhe mekanizmat detyrues njihen sepse gjithë bota i zbaton”.

“Thelbi i shëndetit publik janë masat, dhe masat janë me detyrim”.

Pasaporta e vaksinimit shumë shpejt do të jetë e njohur edhe nga vendet e Bashkimit Europian.

“Tashmë kemi përfunduar të gjithë procedurat me Bashkimin Europian për të integruar sistemet, jo vetëm për kalimin e kufirit, por gjithashtu edhe për aksesin ndaj shërbimit në Europë, të njihet ky sistem, të njihet Green Pass, besoj brenda Shtatorit”.

Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se do të vijojë ardhja e sasive të konsiderueshme të vaksinave sipas kontratave dhe Brenda muajit Dhjetor numri i vaksinave të mbërritura në vendin tonë do të jetë mbi 3 milionë.

Tv Klan