Parku Kombëtar i Mljetit në Kroaci është shtëpia e një prej pasurive më të rralla natyrore. Shkëmbi koralor më i madh i Mesdheut po përballet me rreziqe të mëdha për shkak të ngrohjes globale.

Me një sipërfaqe prej 650 metrash katrorë shkëmbi koralor është një strehë për shumë lloje peshqish.

 “Shkëmbi koralor formon një masë koloniale me vrima ku jetojnë një numër i madh peshqish. Vijnë edhe specie të tjera nga deti përreth, si levrekët dhe barrakudat”, thotë biologu detar Petar Kruzic.

Çdo gusht, për më shumë se 30 vjet, profesori Petar Kruzic zhytet për të matur temperaturën e ujit dhe sasinë e dritës me anë të pajisjeve të posaçme që instalohen në tri thellësi të ndryshme.

“Temperatura ka arritur deri në 29 gradë për më shumë se një muaj e gjysmë, shumë më tepër se 20 vite më parë, kur kjo ndodhte vetëm për 2-3 ditë. Kjo është tepër e lartë për koralet dhe shkakton zbardhje dhe nekrozë të indeve.”

Përveç temperaturave ekstreme, kolonia e koraleve po përballet edhe me kërcënime të tjera, si mbeturinat dhe algat.

“Ka shumë rreziqe nga temperaturat e larta, mbeturinat dhe algat që përhapen shpejt dhe i mbysin koralet.”

Për të mbrojtur këtë mrekulli natyrore, autoritetet e Parkut Kombëtar Mljet kanë vendosur masa të rrepta mbrojtjeje.

“Peshkimi është i ndaluar, zhytja lejohet vetëm për kërkime shkencore me leje të veçanta dhe vetëm varkat e banorëve lokalë dhe të parkut, të gjitha me energji diellore, lejohen të lundrojnë në Liqenin e Madh”, tha menaxherja Margarita Polzer.

Ndërsa koralet e rralla përballen me sfida gjithnjë e më të mëdha, shkenca dhe mbrojtja e mjedisit bashkohen në përpjekje për të shpëtuar këtë pasuri unike të natyrës mesdhetare.

Klan News

/tvklan.al