Komuniteti i Ravello në Itali është tronditur nga ngjarja e ndodhur pasditen e sotme, ku një 35 vjeçar ka tentuar të vrasë me thikë bashkëshorten e tij. Siç shkruajnë mediat italiane, i riu i arrestuar është me kombësi shqiptare, megjithëse nuk dihet ende emri i tij.

Mësohet se ai kishte sulmuar me thikën e bukës nënën e 4 fëmijëve të tij, të cilët fatkeqësisht ishin dëshmitarë të kësaj skene rrëqethëse. Ishin britmat e të miturve dhe të gruas që alarmuan fqinjët, të cilët më pas lajmëruan policinë.

Gruaja italiane, 37 vjeç është transportuar me urgjencë në spitalin e Castiglione, me një sërë lëndimesh në trup.

Shqiptari është tashmë prapa hekurave në burgun e Salernos në Fuorni. “Il Vescovado” shkruan se dhuna në familje është një fenomen që prek vazhdimisht Italinë, e që shpesh fshihet pas dyerve të mbyllura të shtëpive./tvklan.al