11 maj 2026 – Kryeministri Edi Rama dhe Negociatorja për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik”, njëkohësisht Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta, dolën në konferencë për mediat mbi zhvillimet kryesore në fushën e prokurimit publik.
Rama u ndal te disa elementë lidhur me këtë fushë, duke theksuar se Shqipëria paraqitet me rezultate shumë të mira, krahasuar me disa vende anëtare të BE-së. Tha me bindje se vendi ynë është i pari në rajon për prokurimet, ndërsa zbuloi se brenda këtij mandati, do të krijohet një sistem i ri elektronik. Ky i fundit do të mundësojë prokurimet publike plotësisht me Inteligjencë Artificiale, ku sigurisht rolin kryesor e ka ministrja virtuale, “Diella”.
“Nëse e vendosim në kontekst pozicionin e vendit tonë në indikatorët kryesorë që përcakton BE për konkurrueshmërinë, po të shohim tabelën, nëse në mesatare kontratat me një ofertues të vetëm janë 32.3% të kontratave në vendet e BE-së, për Shqipërinë ato janë në masën 23.5%. Nëse në listën e vendeve anëtare ka shumë vende që fillojnë nga 57% e zbresin deri në 38%, Shqipëria është midis tyre dhe vendeve si Suedia apo Gjermania. Vendi ynë është mbi këto, me shumë pak pra, 23.5%.
Edhe në numrin e ofertuesve për procedura, që raporti e përcakton si 3.2 ofertues, Shqipëria është me 3.7 ofertues mesatarisht dhe më tutje në Shqipëri, në vitin 2025, numri i prokurimeve publike që janë mbyllur me fitues dhe kanë pasur vetëm një ofertues është 12%, ndërkohë që mesatarja e BE-së është 14%.
Të gjitha këto nuk thonë asgjë më shumë e asgjë më pak se fakti që Shqipëria është në një fazë shumë të avancuar të përparimit në këtë fushë dhe, nga ana tjetër, në pozicionin e saj në tryezën e negociatave me BE”, deklaroi fillimisht Rama.
Objektivi: Brenda gushtit 2026, trajnim dhe certifikim i të paktën një përfaqësuesi të çdo autoriteti kontraktor
Nga ana tjetër, Kashta rreshtoi vlerësimet ndërkombëtare për vendin tonë në vitin 2025, ku theksoi se kapitulli i prokurimeve ka qenë vetëm me kushte mbylljeje nga ana e BE-së. Ajo shtoi se aderimi i Shqipërisë në Marrëveshjen qeveritare të Prokurimit Publik, nën koordinimin e BE-së, përbën një arritje të rëndësishme, pasi BE është shprehur pa rezerva se Shqipëria është gati të bëhet pjesë e marrëveshjes me Organizatën Botërore të Tregtisë, duke u kërkuar palëve të shprehin miratimin.
Sa i takon vlerësimeve, u ndal fillimisht te raporti i SIGMA-s, mbi sistemet e prokurimit publik në Ballkanin Perëndimor ku Shqipëria pozicionohet ndër vendet me performancën më të lartë në rajon në disa nga komponentët kryesorë.
Rezultate pozitive ka në cilësinë e kuadrit ligjor dhe në efikasitetin e sistemit të prokurimit, duke u renditur në nivele të ngjashme me ose mbi disa vende të rajonit si Bosnja-Hercegovina, Kosova dhe Serbia në disa indikatorë specifikë.
Më tej, u ndal te raporti final i vlerësimit të shpenzimeve publike dhe llogaridhënies financiare (PEFA) për Shqipërinë, i publikuar nga Banka Botërore në vitin 2025. Këtu, vihet re një përmirësim i ndjeshëm në vlerësimin e përgjithshëm të prokurimit publik, ku treguesi PI-24 “Prokurimi Publik” është ngritur nga niveli B+ në nivelin A. Disa komponentë, si monitorimi i prokurimit dhe aksesi i publikut në informacion mbeten në nivelin më të lartë, ndërsa metoda e prokurimit dhe menaxhimi i ankesave reflekton përmirësim të dukshëm të standardeve të transparencës dhe efikasitetit.
Kashta bëri me dije se synim kryesor mbetet ky: Brenda gushtit të këtij viti, të trajnojmë dhe certifikojmë të paktën një përfaqësues për çdo autoritet kontraktor.
Pa letra, pa burokraci! Nga studimi i tregut te oferta me një klik
Më tej, Rama bëri të ditur se Shqipëria po kalon në një fazë të re të reformës së prokurimit publik, ku sistemi i ri i digjitalizuar me “Diellën” pritet të transformojë mënyrën se si zhvillohen procedurat dhe kontratat publike, brenda këtij mandati qeverisës.
“Diella”, theksoi ai, pritet të automatizojë mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave për bizneset, duke eliminuar nevojën për dokumentacion fizik dhe duke e kthyer gjithë procesin nga studimi i tregut deri te dorëzimi i ofertave në një sistem të gjurmueshëm, transparent dhe të menaxhuar nga algoritme inteligjente.
Sipas projektit, bizneset do të mund të aktivizojnë të dhënat e tyre me një klik të vetëm, ndërsa çdo hap i procesit do të jetë i verifikueshëm dhe i kthyeshëm manualisht kur kërkohet.
“Një tregues shumë i rëndësishëm i këtij transformimi është rritja e ndjeshme e numrit të kompanive fituese. Ka shumë më tepër akses në kontratat publike. Dua të bëj një plotësim, sepse mund të jetë krijuar një opinion sikur Diella bën punën që ka bërë më parë dhe fle, jo! Tani ne jemi në një fazë të re të procesit, pasi janë hartuar gjatë kësaj periudhe 450 faqe përshkrime teknike shumë të detajuara.
Këto faqe janë vënë nën shqyrtimin e Bankës Botërore, e cila ka dhënë pak ditë më parë dritën jeshile, pa kushtëzime. Tani jemi gati të kalojmë në fazën e ndërtimit të sistemit të prokurimit publik, me Inteligjencë Artificiale. Është bërë këtu një work shop shumë intensiv me 60 vende. Por, projekti ynë është i pari i këtij lloji. Të bëjë të mundur që asnjë biznes të mos mbledhë letra lart e poshtë për biznesin, por të gjitha të dhënat të mblidhen nga vetë Diella dhe pastaj të jenë në dorën e biznesit për t’i aktivizuar vetëm me një klik.
Një proces i cili do të shkojë nga studimi i tregut tek dërgimi i ofertave. Gjithçka do të jetë transparente dhe lehtësisht e gjurmueshme. Diella do ta bëjë gjithë këtë volum me algoritme inteligjente. I gjithë procesi do të jetë lehtësisht i gjurmueshëm, dhe për këdo që ka pyetje është lehtësisht i kthyeshëm në pikën e nisjes, për ta marrë manualisht”, tha Rama.
Raporti i IBAR në tryezë
Gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka, e pyeti numrin një të kabinetit edhe për raportin IBAR që pritet të shqyrtohet nesër në Bruksel, 12 maj.
Pyetja: Nesër do të shqyrtohet raporti i IBAR, në atë tryezë Shqipëria nuk përfaqësohet, a mendoni se nesër do të kemi një miratim pozitiv të tij dhe një datë për Konferencën Ndërqeveritare për nisjen e mbylljes së kapitujve të parë?
Rama: Unë nuk them asgjë më shumë se përsëri atë që thatë ju, ne nuk jemi në atë tryezë. Qëllimin tonë e përfaqëson Komisioni, pra është dakord me ne, jo me disa nga ju. Është dakord që ne i kemi plotësuar 100% të gjitha detyrat për të hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve. 27 vende anëtare bëjnë pyetjet e tyre, shqetësimet e tyre nuk lidhen me piketat e ndërmjetme, por me piketat përmbyllëse. Nuk mund ta ndryshojnë atë që është bërë dhe atë që Komisioni ka vënë përpara. Kur të vijë fundi, të kthehen dhe të thonë ne kemi dashur që Shqipëria të bëjë më shumë progress në këtë x gjë.
Ajo që po ndodh në Bruksel është plotësisht brenda parashikimeve, nuk ka asgjë nga ajo që i është rrokanisur popullit shqiptar, u bllokua, doli ky e doli ai, gjë që çoi deri në daljen e flamujve të Gjermanisë në krahun e molotovarëve. Kjo është lehtësisht e verifikueshme!
Rama foli edhe për ligjin e porteve turistike.
“Së pari, nuk kemi bërë ndryshime ligjore për portet. Është bërë vetëm një ndryshim për të hequr një pasojë absurde. Ndryshimi nuk lidhet fare me garat, zero! Nëse ne duam të japim një koncesion apo të krijojmë një partneritet për ndërtimin e një porti, absolutisht që kjo do të bëhet me garë. Ndryshimi ka të bëjë me rastin kur dikush investon për një resort turistik dhe dëshiron të ndërtojë edhe një marinë pranë tij. Me ligjin e pandryshuar, për marinën që investitori do të ndërtonte pranë resortit të vet, duhej të hapej garë, që të vinte një tjetër dhe të niste një konflikt që nuk do të mbaronte kurrë. Kjo është një situatë që nuk ekziston në asnjë vend të Europës”, tha ai.
Nuk la pa thumbuar kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, të cilin e quan me ironi “specie unike që nuk e ka pasur asnjë vend i Europës”.
“Shikoni ju këtu ndonjë çudi të madhe, përveç harbimit të atyre që e duan Shqipërinë të bllokuar me çdo kusht! Të atyre që, si në asnjë vend tjetër, dhe këtë ma thonë miq të huaj, nuk kemi parë ndonjë forcë të brendshme nga një vend që ka negociuar apo është në proces negociatash, të kërkojë me gjithëfarë lloj argumentesh dhe me të gjitha të zezat që të bllokohet vendi nga vjen. Ne nuk vijmë nga ndonjë konflikt etnik apo ideologjik, as nuk kemi ndonjë luftë civile”, përfundoi kryeministri.
Kreu i qeverisë vlerësoi edhe Operatorin e Blerjeve të Përqendruara (OBP) si një instrument kyç në reformën e prokurimeve publike, duke theksuar se ai ka sjellë më shumë transparencë, eficiencë dhe kursime për buxhetin e shtetit. Sipas tij, ministritë po shkëputen gradualisht nga proceset e tenderimit, të cilat po kalojnë te një strukturë e specializuar si OBP.
Kjo reformë, deklaroi ai, synon standardizimin e procedurave, uljen e kostove dhe rritjen e profesionalizmit në menaxhimin e fondeve publike. OBP ka realizuar mbi 1 mijë procedura prokurimi dhe ka raportuar mbi 40 milionë euro kursime në 2 vite operim.
/tvklan.al












Botërori 2026 
