Shtetet e Bashkuara dhe Irani do të ulen në tryezën e negociatave këtë të hënë, në një përpjekje për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi nga bordi i Air Force One, se administrata e tij ka pezulluar një sulm të ri ushtarak ndaj Iranit, duke i dhënë një mundësi diplomacisë.
“Tani po negociojmë me ta. Bisedimet nisin pasdite dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë. Do të preferoja një marrëveshje, sepse ajo do të shpëtonte shumë jetë. Sulmi që kishim planifikuar do të ishte më i madhi që nga Lufta e Dytë Botërore dhe do të kishte pasoja shkatërrimtare për Iranin”, tha Trump.
Trump u shpreh se marrëveshja për Ngushticën e Hormuzit është shumë pranë dhe se ajo mund të hapë rrugën drejt një marrëveshjeje më të gjerë për çarmatimin bërthamor të Iranit.
“Marrëveshja për Ngushticën e Hormuzit është shumë pranë, ndërsa në fund synimi është çarmatimi bërthamor i Iranit. Ka njerëz që mendojnë se duhet të sulmojmë menjëherë, por ka edhe të tjerë që besojnë se nuk duhet ta bëjmë këtë”, tha Trump.
Presidenti amerikan theksoi se preferon një zgjidhje diplomatike dhe jo një përshkallëzim të konfliktit. Sipas tij, edhe Arabia Saudite ka kërkuar që të vazhdojnë përpjekjet për një marrëveshje, nga frika se një luftë më e gjerë mund të destabilizojë të gjithë rajonin.
“Do të preferoja të arrinim një marrëveshje. Nuk dua të vriten njerëz. Pyeta mbretin dhe princin e kurorës së Arabisë Saudite nëse donin që të sulmonim. Ata më thanë se do të preferonin shumë më tepër një marrëveshje sesa një sulm, sepse askush nuk e di se ku mund të çojë një konflikt i tillë”, tha Trump.
Ndërkohë, agjencia shtetërore iraniane IRNA njoftoi se negociatat mes Teheranit dhe Omanit për çështjen e Ngushticës së Hormuzit ndodhen në fazën përfundimtare.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 