Djali që vuan nga nanizmi, viktimë e bullizmit në shkollë

Fenomeni bullizim është mjaft i përhapur dhe viktimat kryesore të tij janë fëmijët dhe adoleshentët, kryesisht në ambientet e shkollës. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në Australi. Një nënë ka ndarë një video ku tregon sesi fëmija i saj i cili ka sëmundjen e nanizmit i kërkon asaj që ta ndihmojë të vrasë veten, pas ngacmimeve të shumta që i bëjnë shokët.

Yarraka Bayles nga Brisbane, filmoi djalin e saj Quaden duke qarë në makinë, të cilin sapo e kishte marrë atë nga shkolla dhe e ndau videon në Facebook.

“Më jep një litar, unë dua ta vras veten. Dua ta godas veten me thikë me zemër. Dua që dikush të më vrasë”.

Pas ndarjes së videos në mediat sociale, Yarraka Bayles, është përballur me një pafundësi mesazhesh mbështetëse nga miq, por edhe të huaj. E ëma e djalit është shprehur se videon e shpërndau në Facebook në përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin nga pasojat që sjell bullizmi.

Ajo ka theksuar se ka ndodhur edhe herë të tjera, por ka zgjedhur mos t’i bëjë publike, por këtë herë fakti që djali donte të vriste veten ishte shumë shqetësuese për të.

Sipas mediave ndërkombëtare ekipi australian i basketbollit ka kontaktuar me familjen dhe ka ftuar vogëlushin të dalë në fushë për të luajtur me ata të shtunën.

Ndërkaq edhe komediani Brad Williams, i cili vuan nga nanizmi ka vendosur që të surprizojë vogëlushin duke mbledhur 150,000 dollarë për ta dërguar atë në Disneyland.

Brad Williams hapi një faqe GoFundMe për Quaden Bayles pasi nëna e djalit ndau videon. Në një postim shkruante: Unë po krijoj këtë GoFundMe për të njoftuar se ngacmimet e tilla nuk do të tolerohen dhe se ai është një qenie njerëzore që meriton gëzim.

Klan Plus