Shqipëria hedh një tjetër hap të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të gjelbërta të energjisë dhe forcimit të qëndrueshmërisë energjetike në vend.

Është nënshkruar marrëveshja e kredisë dhe grantit për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Belshit, një projekt që pritet të prodhojë 50 megavat orë energji të pastër, duke furnizuar rreth 16 mijë abonentë dhe duke reduktuar mbi 50 mijë ton emetime karboni në vit.

“Ky projekt do të shtojë kapacitetet prodhuese të KESH-it me energji të pastër, duke forcuar qëndrueshmërinë energjetike të vendit dhe duke hapur mundësi për integrimin e zonave të reja në rrjetin energjetik kombëtar. Një mbështetje që vjen nga Bashkimi Europian në formën e grantit me 9.58 milionë euro, që është rreth 23% e vlerës së investimit, ndërkohë e shoqëruar me një hua nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që ekuivalon në 30 milionë euro,” u shpreh ministrja Belinda Balluku.

Projekti, që financohet edhe me mbështetjen e Bashkimit Europian, synon të ulë varësinë nga energjia hidrike dhe të përshpejtojë tranzicionin drejt burimeve të tjera alternative.

“Bashkimi Europian mbetet partner i fortë i Shqipërisë në agjendën e gjelbër dhe në përgatitjen për hapjen e grupkapitullit të energjisë në negociatat e anëtarësimit.”

Në total, Shqipëria ka përfituar 477 milionë euro nga Bashkimi Europian për të nxitur energjinë e pastër dhe për të reduktuar emetimet e gazrave serrë.

Tv Klan

/tvklan.al