2 nëntor 2026 – Astrologia Meri Shehu ka zbuluar parashikimin astrologjik për muajin nëntor, duke renditur 12 shenjat e zodiakut nga më pak e favorizuara te më me fat.
E ftuar në emisionin “Rudina”, Tv Klan, ajo ka treguar se ky muaj do të shoqërohet me ndryshime të forta, rikthime nga e kaluara, sfida ekonomike dhe zhvillime të papritura në marrëdhëniet personale e profesionale.
Sipas Meri Shehut, gjysma e parë e nëntorit do të jetë një periudhë reflektimi dhe rishikimi të çështjeve të pambyllura, për shkak të lëvizjes së kundërt të Mërkurit dhe Afërditës, të cilët rikthehen në lëvizje të drejtë rreth datave 13-14 nëntor.
“Deri në datën 14, të paktën, ne çfarë kemi probleme nga e kaluara, pengesa, çështje ekonomike, çështje personale, pra retrospektiva është shumë në vëmendje”, u shpreh astrologia.
Ajo veçoi datën 9 nëntor, kur Hëna e Re në Akrep sjell mundësi për fillime të reja, ndërsa datën 16 e cilësoi si një nga më të fuqishmet e muajit, falë takimit të Marsit me Jupiterin në Luan.
“Është një nga datat më të fuqishme, potente, jep shumë energji, shumë ndryshim”, theksoi Meri Shehu.
Nga ana tjetër, datat 24-25 nëntor pritet të sjellin përmbysje dhe zhvillime të papritura, veçanërisht për shkak të Hënës së Plotë në Binjakë dhe përballjes së Diellit me Uranin.
Më poshtë renditja e 12 shenjave të zodiakut, sipas parashikimit të Meri Shehut, nga më pak e favorizuara te më me fat për muajin nëntor.
12. Gaforrja
Gaforret renditen në vendin e fundit, pasi mesi i nëntorit mund t’u sjellë vështirësi në çështjet ekonomike dhe ligjore. Astrologia veçon veçanërisht datat 18-19, kur mund të përballen me zhvillime të papritura që mund të prishin planet e vendosura më herët. Edhe Hëna e Plotë e datës 24 mund të sjellë pasiguri në punë dhe projekte. Megjithatë, pas datës 14 pritet një përmirësim në jetën familjare, e cila do të bëhet mbështetja kryesore për ta. Ditët e para të muajit mund t’u sjellin edhe lajme të mira.
11. Virgjëresha
Virgjëreshat do të kenë një muaj disi të komplikuar, sidomos në aspektin profesional. Datat 18-19 dhe 24 mund të sjellin pasiguri në karrierë, pengesa në projekte dhe situata të pakëndshme që lidhen me prapaskenat. Astrologia këshillon të mos nxitojnë, pasi edhe kur rruga duket se hapet, ato mund të vazhdojnë të analizojnë çdo detaj dhe të stresohen më shumë seç duhet. Një kthesë pozitive pritet nga data 26, me hyrjen e Marsit në shenjën e tyre, që do t’u japë më shumë forcë dhe kontroll. Gjithashtu, kthimi i planetëve në lëvizje të drejtë do t’i ndihmojë në çështjet ekonomike, veçanërisht në fund të muajit.
10. Bricjapi
Bricjapët duhet të tregohen të kujdesshëm me financat dhe interesat personale gjatë nëntorit. Data 16 mund të sjellë energji dhe mundësi të fuqishme, por astrologia i këshillon të mos bëhen tepër entuziastë dhe të mos mbivlerësojnë mundësitë e tyre. Pas datës 14, me kthimin e Mërkurit në lëvizje të drejtë, disa situata të komplikuara mund të marrin zgjidhje. Megjithatë, datat 24-25 janë më problematiket, pasi një punë ose projekt që sapo kanë nisur mund të marrë një drejtim krejt tjetër, duke përmbysur planet e tyre. Këto dy data kërkojnë vëmendje të veçantë.
9. Binjakët
Binjakët do të përballen me ndryshime të mëdha gjatë këtij muaji. Hëna e Plotë në shenjën e tyre, më 24 nëntor, e shoqëruar nga ndikimi i Uranit, mund të sjellë zhvillime të papritura, transformime dhe të vërteta që nuk mund të shmangen më. Edhe pse janë mësuar me ndryshimet, këtë herë mund të habiten nga përmasat e tyre. Në aspektin ekonomik priten lajme të mira pas datës 14, kur mund të zgjidhet një çështje financiare ose një konflikt i vjetër, edhe brenda familjes. Në dashuri, Binjakët do të kenë mundësi të bukura si në fillim, ashtu edhe në fund të muajit.
8. Shigjetari
Shigjetarët do të përjetojnë një muaj me zhvillime të rëndësishme, veçanërisht në gjysmën e dytë të nëntorit. Data 16 është një nga momentet më të favorshme, pasi do t’u japë energji dhe vullnet për të çuar përpara një projekt, për të zgjidhur një problem apo për të përmirësuar një marrëdhënie. Megjithatë, çështjet ekonomike dhe profesionale do të jenë më të vështira deri në mesin e muajit. Datat 24-25 mund të sjellin ndryshime të forta në jetën personale dhe në drejtimin e planeve të tyre. Sipas astrologes, këto zhvillime mund të ndryshojnë rrjedhën e shumë gjërave për Shigjetarët, por më pas situatat do të fillojnë të sistemohen.
7. Demi
Demat do të kenë një muaj me përmirësime graduale, veçanërisht pas datës 14, kur Mërkuri kthehet në lëvizje të drejtë. Kjo do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve në bashkëpunime, projekte dhe marrëdhënie në çift. Hëna e Re në Akrep, më 9 nëntor, sjell një fillim të mbarë dhe shpresë për ndryshime pozitive. Data 16 është e rëndësishme për çështjet familjare, ku mund të përballen me një vendim që do të ketë ndikim të madh. Megjithatë, datat 18-19 dhe 24-25 kërkojnë kujdes, sidomos në ekonomi. Astrologia paralajmëron se Demat mund të mbivlerësojnë forcat dhe mundësitë e tyre, ndaj duhet të shmangin vendimet e nxituara.
6. Dashi
Dashi do të ketë një muaj me energji të forta dhe mundësi për të rimarrë veten pas disa vështirësive në familje, punë dhe ekonomi. Fillimi i nëntorit nuk është i keq dhe mund të sjellë lajme pozitive për bashkëpunime ose çështje financiare. Data 16 është veçanërisht e rëndësishme, pasi mund t’u japë forcën për të realizuar atë që kanë synuar dhe për të dalë nga një periudhë lodhjeje. Por datat 18-19 mund të sjellin përballje të vështira, sidomos në dashuri dhe financa. Edhe Hëna e Plotë e datës 24 mund të ndryshojë një situatë që e mendonin të sigurt, përfshirë një ndërtim, projekt apo çështje të rëndësishme me institucionet shtetërore. Duhet të tregohen të kujdesshëm përpara se të bëjnë blerje të mëdha.
5. Luani
Luanët renditen në mesin e shenjave më të favorizuara, me datën 16 në qendër të zhvillimeve të tyre. Takimi i Marsit me Jupiterin në shenjën e tyre mund t’u japë fuqi dhe energji për të realizuar projekte të rëndësishme, për të bërë ndryshime apo për të zgjidhur çështje të mbetura pezull. Hëna e Re mund t’i ndihmojë në problemet familjare dhe ekonomike, ndërsa pas datës 13-14 pritet të shohin më shumë qartësi në planet e tyre. Megjithatë, datat 18-19 mund të jenë të vështira për karrierën, veçanërisht për ata që mbajnë pozicione të rëndësishme. Datat 24-25 mund të sjellin përmbysje në projekte dhe çështje që lidhen me ligjin ose institucionet shtetërore. Fundi i muajit do të jetë më i favorshëm.
4. Peshqit
Peshqit do të nisin të ndiejnë një lehtësim pas një periudhe të vështirë, ku janë përballur me pasiguri ekonomike, çështje nga e kaluara dhe marrëdhënie të pambyllura. Hëna e Re në Akrep, më 9 nëntor, u sjell energji pozitive dhe mundësi për të nisur një kapitull të ri. Pas datës 13-14, me kthimin e planetëve në lëvizje të drejtë, do të kenë më shumë qartësi dhe mundësi për të rikuperuar ekuilibrin financiar e personal. Megjithatë, nga data 26 mund të përballen me konkurrencë, xhelozi dhe kundërshti nga njerëz që nuk i shohin me sy të mirë sukseset e tyre. Gjithashtu, Hëna e Plotë më 24 nëntor kërkon kujdes në çështjet familjare dhe të karrierës.
3. Ujori
Ujorët renditen në treshen e parë të shenjave më me fat, pasi nëntori mund t’u sjellë zhvillime të rëndësishme në karrierë dhe përmirësime financiare. Pas datës 14, me kthimin e planetëve në lëvizje të drejtë, do të fillojnë të zgjidhin pengesat profesionale dhe mund të marrin miratime, promovime, propozime të reja apo përfitime ekonomike. Data 16 është veçanërisht e rëndësishme, pasi takimi i Marsit me Jupiterin mund t’u japë një energji të jashtëzakonshme. Sipas Meri Shehut, inteligjenca dhe aftësia e Ujorëve për të kapur mundësitë do të bëjnë diferencën, duke i ndihmuar të përfitojnë edhe nga situata që mund të mos jenë të favorshme për të tjerët. Datat 24-25 mund të sjellin disa probleme në dashuri dhe në projektet personale, por fundi i muajit premton zhvillime shumë të bukura. Lëvizja e Uranit në Binjakë në harmoni me Plutonin në Ujor mund të sjellë një ngjarje të rëndësishme dhe një ndryshim të madh për këtë shenjë.
2. Peshorja
Peshoret do të përjetojnë një muaj me përmirësime të dukshme, veçanërisht në dashuri, ekonomi dhe marrëdhënie personale. Edhe pse Afërdita në lëvizje të kundërt mund t’u ketë rikthyer njerëz nga e kaluara, ish-partnerë apo situata të pazgjidhura, pas datës 13-14 gjërat do të fillojnë të marrin drejtimin e duhur. Hëna e Re e datës 9 sjell mundësi të reja në çështjet financiare, ndërsa data 16 është një tjetër moment shumë i fuqishëm, që do t’i ndihmojë të realizojnë planet dhe të fitojnë më shumë siguri. Megjithatë, datat 24-25 kërkojnë kujdes në komunikim, udhëtime, projekte dhe çështje ligjore, pasi mund të lindin debate apo ndryshime të papritura. Pavarësisht kësaj, fundi i nëntorit do të jetë shumë i favorshëm për dashurinë, udhëtimet dhe realizimin e dëshirave personale.
1. Akrepi
Akrepi është shenja më e favorizuar e muajit nëntor, sipas renditjes së Meri Shehut. Hëna e Re në shenjën e tyre, më 9 nëntor, hap rrugën për fillime të reja dhe mundësi të rëndësishme, sidomos në karrierë dhe punë. Edhe ditët e para të muajit mund t’u sjellin lajme të mira profesionale dhe vlerësim për përpjekjet e tyre. Pas datës 14, me kthimin e Mërkurit në lëvizje të drejtë, Akrepët do të çlirohen nga pengesat dhe keqkuptimet që kanë hasur kohët e fundit. Data 16 cilësohet si kulmi i muajit, pasi mund t’u sjellë fuqi, autoritet dhe mundësi të jashtëzakonshme për avancim në karrierë. Astrologia i këshillon të tregohen të kujdesshëm rreth datës 24, kur Hëna e Plotë në Binjakë mund të sjellë zhvillime të papritura në ekonomi, investime, shpenzime dhe gjendjen personale. Megjithatë, fundi i nëntorit i gjen sërish në një pozicion të favorshëm, me mundësi për të konsoliduar suksesin e arritur gjatë muajit.
/tvklan.al












Botërori 2026 
